Zërat në mbrojtje të Monumentit Komunist “Ushtari i Panjohur” në Gjilan, janë zëra në mbrojtje për vrasësit e masakrës së Gjilanit, zëra të cilët nuk janë dëgjuar qe 18 vjet për ‘Srebrenicën’ e Gjilanit, ku për tre muaj gjatë vitit 1944-1945, në Gjilan u vranë mbi 8.000 burra për të vetmen arsye: Ishin kundër Bashkim Vllaznimit me serbët.
Shkruan: Fidan Mustafa
Fatkeqësisht, atë që shumë përfaqësues të popullit e intelektual në Gjilan nuk e bënë për këto 18 vite pas lufte që të ngritët çështje e masakrës së Gjilanit, disa OJQ morën guximin që të dalin publikisht në mbrojtje të simbolit Komunist që kujton ushtarët-vrasës të rënë gjatë vrasjes së 8.000 burrave shqiptar në masakrën e Gjilanit, Urime!
Opinioni duhet të dijë të vërtetën se kjo kërkesë nga këto OJQ pa adresë, është kërkesë e turpit, kërkesë e poshtërimit për 8.000 familje e mijërave nipër e stërnipër të tyre në Gjilan dhe rreth saj, me thirrjen e tyre në emër të Kulturës së Kosovës!
Personalisht, nuk u vë fajin shumë përse kërkoni një simbol të tillë që të mbetet në Gjilan, sepse ka vdekur Mulla Idriz Gjilani, që ishte simboli i ruajtjes së vlerave dhe identitetit tonë kombëtar, ndërsa ‘NE’ pas tij jemi nxënë me reforma ‘administrative’ derisa po mundohemi të ndërtojmë paqen, pa dhënë ende askush asnjë llogari për të kaluarën e tyre….
Por mos harroni, herët apo vonë, një ditë do të vij koha e llogarisë për çdo të bëmë nga kushdoqoftë…, edhe ata të Bashkim Vllaznimit.