DYLON

Zgjidhja është në Kuvend

Avatar photo Redaksia

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se zgjidhja e ngërçit politik është në Kuvend.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Krasniqi ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për kompromis në mes të partive politike pasi, sipas tij, tashmë ekziston koalicioni qeverisës i përbërë nga LDK-ja, AAK-ja, Vetëvendosje! dhe Nisma.

EkoHigjiena

“Kosova nuk ka nevojë për kompromise, pasi blloku qeverisës është formuar. Kjo u pa edhe më 18 shtator 2014. Pas 18 shtatorit gjërat janë të qarta”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, tashmë një pjesë e politikës sonë ka arritur në këto rrethana ta sjellë një frymë të re politike. “Është krijuar një bashkim i ri politik nga shumica e partive politike shqiptare për ta ndryshuar qeverisjen në vend pa asnjë ndërhyrje nga jashtë”, është shprehur Krasniqi.

Ai e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vendimin që ka dhënë në raport me seancën konstituive të 17 korrikut. “Për Gjykatën Kushtetuese kam dhënë mendimin tim. Ajo ka nxjerr një vendim antikushtetues dhe e ka legjitimuar kapjen e institucionit më të lartë të shtetit, Kuvendin”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka folur edhe për mundësinë e përfshirjes së ndërkombëtarëve në zgjidhjen e ngërçit politik. Ai ka thënë se ndërhyrjet ndërkombëtare nuk mund të sjellin kualitet institucional.

“Nuk besoj se ndërhyrjet nga jashtë sjellin kualitet institucional, së paku këtë nuk e kemi parë deri më tani. Askush më mirë se ne nuk e di se çka kanë prodhuar ndërhyrjet që ndodhën në zgjedhjet e kaluara”, ka shtuar Krasniqi. Në këtë kontekst, Krasniqi ka bërë me dije se nuk ka arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja. “Kosova e as qytetarët e saj nuk e kanë asnjë arsye të shkojnë në zgjedhje, pasi në zgjedhje shkohet për të krijuar një shumicë parlamentare. Këtë shumicë e kemi dhe është mjaft solide”, ka deklaruar Krasniqi.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.