(2L ONLINE) – Nëse populli është sovrani, atëherë përfaqësuesit e tij (deputetët) janë bartës të sovranitetit në mes të dy palë zgjedhjeve. Nëse në sistemet demokratike vendos shumica, atëherë numrat përcaktojnë vendimmarrësin.
Shkruan: Ismajl KURTESHI
Përpjekjet që përmes komenteve të kushtetutës, t’ju merret kjo e drejtë përfaqësuesve të sovranit, është përpjekje për ta përmbys parimin bazë të demokracisë, është përpjekje për të kaluar nga sistemi demokratik e pluralist në diktaturë moniste.
Nëse një gjë e tillë tolerohet, nuk do të ketë kuptim të organizohen zgjedhje, sepse nuk do të ketë pluralizëm. Sepse sipas kësaj “logjike” rezultatit të zgjedhjeve, nuk do ta përcaktojnë pozitën as opozitën. Paraprakisht do të dihet kush do të jetë në pushtet. Ky sistem i provuar nga shqiptarët nuk i duhet vendit, prandaj instalimi i tij nuk do të lejohet pavarësisht përpjekjeve të partisë në pushtet dhe servilizmit e devijimit të institucioneve që duhet të jenë të pavarura.
Duke insistuar që të mbeten në pushtet, pavarësisht faktit që nuk i ka votat, PDK-ja përmes Kushtetueses, Presidentes dhe Florës po bënë përpjekje me e ndërrua rendin kushtetues në Kosovë.
Tani më është dashur, të gjithë në këtë vend, ta kuptonim se sado i fort që mund të jetë një subjekt politik, sado e pakontestueshme që është Gjykata Kushtetuese, çka do që përfaqësojnë Presidentja, rendin kushtetues nuk mund ta ndryshojnë.
Përpjekja e PDK -së për ta pamundësuar debatin në Kuvend është e barabartë me përpjekjen për ta paralizuar Kuvendin ose instrumentalizuar atë deri në absurd. Ata duhet ta kuptojnë se deputetët nuk janë zgjedhur përfaqësues të interesave të popullit për t’ju nënshtruar diktatit të kujt do qoftë ose për ta shitur besimin e dhënë nga sovrani, por për të ofruar dhe bërë zgjidhje për çështjet që ju takojnë, bazuar në bindjet e tyre.
Në këtë situatë, po shihet se, pritja nuk është zgjidhje.
Nënshtrimi kërkesave që nuk përkojnë me parimin bazë të demokracisë, ku vendos shumica nuk bënë as nuk do të ndodhë.
Shkuarja në zgjedhje të reja kur ekziston shumica që ka të drejtë të vendos dhe zgjedhjet nuk janë kontestuar, përkundrazi janë vlerësuar si më të mirat, nuk kanë asnjë kuptim.
Në këtë situatë, kur subjekti që ka dalë i pari në zgjedhjet e tetë qershorit, por nuk i ka fituar zgjedhjet dhe e ka shfrytëzuar të drejtën e kandidimit dhe votimit të kandidatit të tij, por nuk ka arritur ta zgjedh atë për shkak të mungesës së votave edhe 100 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, duhet ta pranoj humbjen dhe ta jep kontributin e tij në opozitë, sepse zgjidhje tjetër nuk ka.
Pavarësisht nga qëndrimet e PDK-së, katër subjektet shqiptare që përbëjnë shumicën parlamentare (mbi 50% të votave) duhet menjëherë ta thërrasin seancën, ta hapin debatin në përputhje me komentin e Kushtetueses në nenin 127 dhe ta gjejnë zgjidhjen në përputhje me parimet bazë të demokracisë pluraliste.
E vetmja zgjidhje për vendin është themelimi i institucioneve, bazuar në procedurat e parapara, e para së gjithash në parimet bazë të demokracisë. Në të kundërtën deputetëve do t’ju bie barra e përgjegjësisë për moskryerjen e obligimeve të tyre kushtetuese me të cilat i kanë ngarkuat qytetarët përmes votës së lirë në zgjedhjet e deklaruara si më të mirat të organizuara ndonjëherë në Kosovë.
Kohë për të pritur nuk ka më. Problemet e grumbulluara kërkojnë zgjidhje nga institucionet legjitime të vendit. Legjitime janë vetëm vendimet e shumicës dhe institucionet që dalin nga vota e kësaj shumice, është vetëm ai që e ka shumicën e votave. Legjitimiteti ushtrohet duke vepruar e jo duke pritur. Ta fillojmë punën në përputhje me parimet bazë të demokracisë.
(autori është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje)