Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) i ka certifikuar të gjitha rezultatet përfundimtare për 37 komunat e Republikës së Kosovës në përjashtim të Komunës së Zveçanit, pasi që aty do të ketë përsëritje të votimeve në tri vendvotime.
KQZ-ja, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare e ka përcaktuar zyrtarisht 1 dhjetorin ditën e zgjedhjeve, ndërsa fushata për balotazh është caktuar të jetë 5 ditë nga e hëna e ardhshme deri të premten. Dita e shtunë është përcaktuar të jetë heshtja zgjedhore, kurse, e diela dita e zgjedhjeve.
Adnan Rrustemi, ka propozuar fillimisht që fushata e balotazhit të zgjas 7 ditë.
“Propozimi im është që fushata të jetë 7 ditë duke qenë se ka hapësirë dhe nuk interferon asgjë në punën e sekretariatit”, ka thënë Rrustemi.
Ndërsa, Florian Dushi ka thënë se mjaftojnë 5 ditë për setcilin subjekt dhe kandidat.
“Duke e konstatuar për herë të dytë se subjektet nuk janë ndalur asnjëherë në fushatën e tyre zgjedhore mendoj që 5 ditë praktikisht nga dita e hënë deri të premten të jetë fushatë, të shtunën heshtja dhe të dielën zgjedhjet. Mendoj se do të mjaftojnë për secilin subjekt, kandidat”, ka thënë Dushi.
Për 5 ditë fushatë ishte edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Binak Vishaj, i cili tha se subjektet politike asnjëherë nuk janë ndalur duke bërë fushatë.
“Unë e mbështes që të jetë 5 ditë fushatë është mjaftueshëm. Realisht subjektet politike nuk e kanë ndal fushatën, mjaftueshëm është 5 ditësh’, ka thënë Vishaj.
Ndryshe, më 1 dhjetor 2013 në garën për balotazh do të jetë Prishtina, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Klina, Kamenica, Mitrovica, Lipjani, Novobërda, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prizreni, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Graçanica, Parteshi, Ranillug dhe Kllokoti.
Ndërsa, komunat të cilat kanë pasur fitues në raundin e parë dhe që nuk do të ketë zgjedhje janë Deçani, Skenderaj, Gllogoci, Podujeva, Shtimja, Kaçaniku, Hani i Elezit, Fushë-Kosova, Istogu dhe Mamusha.