Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me pasojat e marrëveshjes Thaçi-Daçiq, n[ t[ cil[n u tha se që prej vitit 1999, Kosovën dhe funksionalitetin e saj e ka mbajtur peng projekti i Serbisë për kontrollimin e serbëve dhe të territoreve ku ata jetojnë. Serbia gjithnjë e ka shfrytëzuar popullatën serbe brenda Kosovës si instrument për ta realizuar programin e saj shtetëror hegjemonist në funksion të pushtimit të Kosovës, dëbimit, represionit, kolonizimit dhe gjenocidit.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ashtu siç proklamohej rregullisht, strategjia e qeverive tona dhe faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij problemi pretendonte të kishte për qëllim shkëputjen e ndikimit të fuqishëm të Beogradit te serbët e Kosovës përmes mbështetjes së partive serbe në Kosovë të cilat e pranonin rendin institucional dhe Kushtetutën e shtetit tonë, dhe kështu dalëngadalë t’i lidhnin serbët e Kosovës gjithnjë e më shumë me projektin e shtetndërtimit multietnik të Kosovës.
“Pikërisht për shkak të kësaj strategjie u fuqizuan vazhdimisht partitë të cilat i pranonin ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës, siç është Partia Liberale Serbe, ndonëse dihet fare mirë se ata refuzuan ta nënshkruajnë deklaratën e pavarësisë si dhe nuk qenë të pranishëm në shpalljen e saj. Kjo gjë megjithatë tregon se lidhja e tyre politike me projektin e Serbisë mbetet e pranishme”, tha Konjufca, duke shtuar se Lista Serbe e krijuar nga Ivica Daçiqi e mori pushtetin në 9 Komuna të Kosovës, duke u bërë kështu e barabartë me LDK-në e cila do të qeverisë me po aq komuna dhe afër PDK-së e cila qeveris me 10 Komuna.
“Kryetarët e zgjedhur të këtyre komunave të gjithë janë bërë bashkë dhe njëzëri kanë deklaruar se qëllimi i tyre është ta luftojnë dhe të mos e pranojnë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Ata po ashtu kanë bërë të ditur se do të veprojnë brenda Kosovës ashtu siç i udhëzon politika e Beogradit”, shtoi ai.
Konjufca ndër të tjera tha se, pas mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 3 nëntor, strukturat e Serbisë i shkatërruan zgjedhjet në Mitrovicën e veriut ku më vota po udhëhiqte një shqiptar. “Daçiqi doli e tha se nëse në veri zgjedhjet një shqiptar, atëherë do të ketë konflikte të armatosura e të dhunshme. Ai faktikisht na kërcënoi me luftë nëse nuk bëhet siç do Serbia. Qeveria nuk reagoi fare. Tash u mbajtën zgjedhjet tjera dhe atje fitoi njeriu i Daçiqit. Nesër Thaçi vazhdon të takohet me Daçiqin drejt kompromiseve të radhës.
Deputetja Albulena Haxhiu tha se pas formalizimit të marrëveshjes së Brukselit, dhe ratifikimit të kësaj marrëveshje, procesit të legalizimit të strukturave ilegale dhe legalitetit të krijesës së quajtur Asociacioni i Komunave Serbe, i ka paraprirë amnistimi i gjithë bartësve të institucioneve paralele të cilët edhe në ditët e sotme janë duke u financuar nga Serbia, pa u penguar nga Qeveria e Hashim Thaçit.
“Nëse e analizojmë Ligjin për Amnistinë, do të shohim se janë plot 31 lloje të krimeve që sot kanë amnistuar deputetët e Kuvendit, përveç VETËVENDOSJE!-s. Në fokus janë amnistia e veprave penale që bien në kategorinë e veprave penale kundër shtetit. Ndonëse kategoria e dytë e veprave penale që përfshijnë amnistinë nga veprat penale që mund të implikohen me veprat penale kundër shtetit, nuk ka asnjë dyshim se të njëjtat ndërlidhen edhe me veprat penale që kanë ngjyrim të krimit të organizuar”- tha Haxhiu.
Ajo shtoi se nga kjo amnisti përfitojnë kriminelët dhe kontrabandistët si të veriut ashtu edhe ata të jugut, që kryesisht janë foleja e krimit të udhëhequr nga qarqet qeveritare. “Sipas kësaj, amnistia i shërben legalitetit të strukturave paralele, duke e përgatitur këtë strukturë që si pasojë e zhvillimit të procesit zgjedhor, të njëjtën ta formalizojë dhe ta legjitimojë në këtë proces.
Ky proces ka përligjur individët për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepra penale jo vetëm kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës, por të njëjtit kanë kryer edhe veprat penale kundër popullsisë së veriut të Kosovës, si gjatë luftës po ashtu edhe pas luftës.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, si p.sh. në Mitrovicë të Veriut kanë qenë Krstmir Pantiq dhe Oliver Ivanoviq, që të dy të involvuar drejtpërsëdrejti në struktura paralele, të involvuar në trazirat e pas luftës me qëllim të dëbimit të popullsisë shqiptare në veri të Mitrovicës, por edhe para luftës si pjesëtar të formacioneve paramilitare serbe. “Zgjedhjet e 3 dhe 17 nëntorit po ashtu edhe të 1 dhjetorit, u kontrolluan nga kriminelë serb, pra kriminelët serb ishin pjesë e procesit zgjedhor. Është folur shumë për shuarjen e strukturave paralele, por në asnjë moment ne nuk kemi qenë dëshmitar të shuarjes të ndonjë institucioni prej nga koha e ratifikimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq, miratimit të Ligjit për Amnistinë dhe së fundmi përfundimit të procesit zgjedhor”, tha deputetja Haxhiu.
Politikat e Qeverisë aktuale po e çojnë Kosovës drejt ndarjes së vazhdueshme. Komunat e fituara nga Daçiqi do të lidhen bashkë në Asociacionin e Komunave Serbe. Ky asociacion do të marrë premisa të një qeverie serbe brenda Kosovës e cila përkujdeset dhe merr vendime për territoret e banuara me serbë. Dhe nuk kemi kurrfarë dyshimi që ata do të punojnë për Serbinë dhe jo për Republikën e Kosovës. Për këtë janë meritorë të gjithë ata deputetë të cilët ditën e 27 qershorit dhe 11 korrikut i thanë po
defunksionalizimit të shtetit të Kosovës dhe faljes zemërgjerë të kriminelëve dhe strukturave institucionale paralele të Serbisë. Ne kemi vetëm një detyrë në këtë situatë: Ta ndërrojmë sa më parë këtë qeverisje në mënyrë që të shpëtojmë të tashmen dhe të ardhmen.