Sot, në territorin e Republikës së Kosovës, po mbahen zgjedhjet e Serbisë sipas Kushtetutës së saj, duke e konsideruar Kosovën pjesë integrale të Serbisë. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur që t’i arsyetojë këto zgjedhje që po zhvillohen në Kosovë, njëjtë si kudo në Serbi. Isa Mustafa, që më shumë po ngjan si zëdhënës të Qeverisë së Serbisë, sesa kryeministër i një shteti të pavarur, në vend të kundërshtimit e ndalimit të këtyre zgjedhjeve, është vënë tërësisht në funksion të organizimit të tyre, dhe kështu në shërbim të Serbisë, duke legjitimuar edhe zyrtarisht praninë e Serbisë dhe pretendimet e saja mbi Kosovën, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje..
Arsyetimi i Isa Mustafës, se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë buron nga dyshtetësia, është manipulim dhe i paqenë. Këtu po shmanget qëllimisht fakti i mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, si dhe shkelja flagrante e sovranitetit shtetëror dhe institucional të vendit. Më shumë se sa t’i ketë votat e serbëve që jetojnë në Kosovë (shtetas serb jetojnë edhe në Gjermani, Austri, Zvicër, Britani, Suedi, etj.), Serbia me këto zgjedhje do ta rikonfirmojë praninë e saj në Kosovë, dhe njëkohësisht në praktikë ta jetësojë qëndrimin e saj se Kosova është pjesë e Serbisë.
Për më tepër, këto zgjedhje po i organizon Serbia me trupat e saj, ndërsa roli i OSBE-së, që vepron në Kosovë në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do të jetë vetëm mbulimi i pranisë së strukturave të Serbisë në organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe zëvendësimin e tyre në transportimin e materialit zgjedhor nga vendvotimet deri në pikën kufitare.
Me udhëzimin e lëshuar me 8 mars 2016 nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë, thuhet “për mbajtjen e zgjedhjeve për anëtarë të Asamblesë Nacionale, në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, si pjesë integrale e Republikës së Serbisë”.
Nuk ka dyshim që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, duke qenë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në bazë të Kushtetutës, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. Ndërsa, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. Zgjedhjet e vetme që mund të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës janë zgjedhjet për institucionet qendrore apo lokale të Republikës së Kosovës, dhe të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës.
Ne konsiderojmë se Qeveria e Kosovës ka dështuar t’i kryejë detyrat e veta shtetërore sot, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.