/2L ONLINE/ – Shpalosja e idesë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, tani më është bërë temë ditore, por për dikë ato shihen si të panevojshme, e për dikë tjetër si mundësi për kthim në normalitet të gjendjes politike në Kosovës. Analisti Avni Rudaku ka komentuar për Portalin 2L ONLINE, këtë çështje edhe sa i përket nivelit qendror, edhe sa i përket nivelit lokal.
Zgjedhjet në nivel nacional
Sipas tij, deri më tash, të vetmit që nuk i konvenojnë zgjedhjet është sidomos Isa Mustafa. Madje nëse shihen të gjitha partitë politike, e sidomos opozita që ka kërkuar që moti zgjedhjet e jashtëzakonshme apo të parakohshme, e vetmja parti që ka ngurruar për t’u deklaruar pro-zgjedhjeve, ka qenë LDK-ja, përkatësisht kreu i saj dhe ca njerëz përreth tij, si Ismet Beqiri… Me zgjedhjet e reja, kryeministri Mustafa nuk është fare i përshtatshëm për anëtarësinë e LDK-së që të jetë përsëri në krye dhe zgjedhjet e shpejta, nuk e lënë kryeministrin të vazhdon mandatin e tij deri në fund, e që besohet të jetë posti i lartë, i fundit që ka pasur ndonjëherë.
Por, sipas Rudakut, zgjedhjet janë zgjidhja pas aq shumë zhvillimeve tensionuese politike në raportin pozitë-opozitë, ngërçet e mëdha me dy tema makropolitike si demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, mungesës së votave të koalicionit e bllokimit parlamentar, refuzimit të tanishëm të serbëve me shkas Ligjin për Trepçën, e tjerë e tjerë. Po të mbaheshin zgjedhjet fill pas tensioneve të mëdha të opozitës, do të mund të kishte probleme dhe zgjedhjet nuk do të ishin zgjidhja, sidomos për shkak të dyshimeve se a do të pranoheshin zgjedhjet nga humbësit elektoralë në përgjithësi.
Prandaj, shprehet rudaku, pas ndarjes së bllokut opozitar “VAN”, shtensionimit, zmbrapsjes për votim të demarkacionit dhe tërheqjes nga votimi, zgjedhjet tek e fundit janë edhe njëfarë shpërblimi apo ndëshkimi për pozitën apo opozitën për krejt këto zhvillimet e fundit. Me një fjalë, zgjedhjet janë një lloj referendumi, pa thënë se është vetë referendumi, mbi demarkacionin dhe zhvillimet e tjera të fundit politike. Kanë ndodhur shumë ngjarje prej zgjedhjeve të fundit parlamentare.
“Parlamenti i Kosovës që moti nuk është funksional, me shumë pengesa, me deputetë që kanë qenë fare pak të angazhuar për çështjet me interes të qytetarëve. Prandaj, sa më shpejt zgjedhjet, do të mund të paktën të ishte një fillim i ri i atmosferës në Kuvend e Qeveri. Në demokraci, e veçmas në vendin tonë, qytetari faktorizohet sidomos në ditën e votimit dhe duhet ta shohim çfarë do të vendos për të ardhmen e vet. Zgjedhjet janë mjetet më demokratike, nëse do të zhvilloheshin korrekt, me shumë mbikqyrje dhe të mos ketë manipulime”, ka thënë Rudaku.
Sipas tij, natyrisht që ngelet problem i madh shkuarja në zgjedhje edhe pa reformën e diskutuar elektorale, por kjo është nisur për shumë vjet dhe nuk është bërë asgjë, prandaj nuk mund të pritet një reformë zgjedhore e pastaj zgjedhjet. Situata politike është në ngërç të pabesueshëm, por edhe i simuluar.
Sipas Rudakut, Partisë Demokratike të Kosovës, më së shumti i interesojnë zgjedhjet para fillimit të punës së Gjykatës Speciale dhe ndonjëherë mund të kemi dyshime se kësaj radhe më së shumti ideja e zgjedhjeve ka ardhur prej tyre, ose të paktën ka ardhur nga direktivat ndërkombëtare, pas refuzimit të Listës Serbe dhe bllokimit të koalicionit me vota. Zgjedhjet e tanishme janë edhe pjesë e zhvillimeve në Ballkan. Zgjedhjet u bënë edhe në Malin e Zi, edhe ishin para pak muajve në Serbi, edhe po dalin në terren partitë politike në Maqedoni për zgjedhjet e ardhshme, kështu që, duket rastësi, por ka edhe zhvillime ballkanike që shkojnë ngjashëm me Kosovën rreth zgjedhjeve dhe kohës së mbajtjes së tyre.
“Zgjedhjet nuk janë zgjidhja vetëm në kuptimin që do të riciklohen shumë figura të ngjashme, pavarësisht kush fiton; po ashtu partitë politike nuk kanë bërë reforma të brendshme, sakaq të rekrutohen aq shumë figura të reja, koncepte e bindje të reja, programe të reja konkrete, etj. Janë pak a shumë të njëjtat figura, edhe në paralajmërimet e një iniciative të re, të cilët vetëm lëvizin nga një subjekt në tjetrin. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje në kuptimin e sjelljes së ndryshimit të kërkuar nga qytetarët, programit të ri qeverisës e shpresëdhënës për zgjidhjen e problemeve kryesore si papunësia e varfëria” thotë tutje analisti Rudaku.
Sipas tij, zgjedhjet mund të jenë vetëm si kthim i legjitimitetit të ri për të shkuar temat që janë nisur për të përfunduar! “Edhe shumë vjet, nuk do të jetë agjendë qytetari, por stabiliteti politik për pesë vjetët e ardhshme të punës së Gjykatës Speciale, themelimi i ASK-së, përfundimi i demarkacioneve me fqinjët, etj. Në krejt këto kuptime, zgjedhjet nuk do të jenë zgjidhja, por nuk ka zgjidhje tjetër nëse nuk ka ndryshim edhe në lëvizjet e qytetarëve, nëse nuk ka ndryshim përmbajtjesor të partive politike etj” thotë Rudaku.
Zgjedhjet në nivel lokal
Analisti Avni Rudaku flet edhe për zgjedhjet në nivel lokal, që sipas tij, duhet të bëhen sa më parë sepse ka kryetarë komunash që e udhëheqin komunën nga burgu, si në komunën e Skenderajt, të tjerë me keqpërdorime të mëdha dhe hetime të pandalshme si në komunën e Prizrenit, në Gjilan me hetime për ish kryetarin dhe kryetarin aktual, etj.
“Disa komuna të tjera, përveç Prishtinës, kanë shpëtuar nga mediet, për shkak të fokusit mediatik vetëm në komunën e Shpendit dhe kurrë nuk besoj se ato komuna qenkan aq mirë, sikur që nuk është aq mirë sikur mund të mendohet për Prishtinën sidomos jashtë saj. Pra, shumica e komunave janë në qeverisje lokale katastrofale, por që mediet në këtë mandat, më së shumti janë marrë me komunën e Prishtinës. Me një fjalë, “i ka shpëtuar Shpend Ahmeti të gjithë kryetarët e komunave të tjera!” Po ashtu, shumë ministra, por edhe kryetarë komunash, kanë shpëtuar nga kritikat, sepse mediet është dashur të merren me demarkacionin për kohë të gjatë”, thotë Rudaku.
Sipas tij, zgjedhjet në nivel lokal po ashtu duhet të bëhen njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare, sepse duhet të ndërron krejt struktura, e jo të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, e pastaj të reflektojnë në zgjedhjet lokale.
Kësaj radhe, zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale duhet të mbahen në të njëjtën kohë. Duhet të shpërbëhet edhe parlamenti, edhe kuvendet komunale, edhe të rilegjitimohen kryetarët e komunave, edhe të bie qeveria.
“Nuk besoj se do të ndodhë kjo, pasi që nuk është në interes të partive politike dy palë zgjedhje njëkohësisht, por do të ishte mirë, pavarësisht arsyetimit se mund të jenë “barrë e madhe për Kosovën”. Kur e thonë “barrë e madhe për Kosovën”, e kanë fjalën “barrë e madhe për partinë”! Kjo do t’i pengonte partitë të bëjnë manovrime kandidatësh për interes të tyre, sepse nuk kanë as kohë e as kandidatë, prandaj zgjerohen më shumë në kuadro të reja, se ato ekzistueset nuk mund t’i mbulojnë të gjitha pozitat kandiduese. Krejt këto zgjedhje në nivel lokal apo parlamentar, nuk janë shpresë për ndryshime, por vetëm për të provuar të dilet nga krejt ky ngërç i madh, por në asnjë variant nuk sjellin ndryshimet e nevojshme. Por aktualisht nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, përveç zgjedhjeve!”, thotë në fund Avni Rudaku, njohës i çështjeve politike. /2L ONLINE/