Nuhi ISMAJLI
(2LONLINE) – Njeriu, përveç në rastin kur lëngon nga ndonjë mungesë, për nga natyra, është krijuar që të mos jetë indiferent ndaj realitetit që e rrethon, po, përkundrazi, mendjezgjuar dhe i gatshëm gjithnjë për krijimin e humaniteteve dhe përsosjen e jetës.
Si i tillë, njeriu jo vetëm nuk mbetet indiferent, po përkundrazi, aktivizohet në mënyrë të veçantë edhe në rastin formimit të institucioneve dhe zgjedhjes e caktimit të subjekteve udhëheqëse të tyre, të cilat kanë një peshë të rëndësishme në jetën njerëzore.
Në rastet e tilla, qytetari me sadopak kulturë politike, nuk rri indiferent, nuk tërhiqet dhe as bojkotin proceset shoqërore, po, përkundrazi, aktivizohet duke propozuar dhe duke dhënë votën e tij për individët, për të cilët ka bindjen se dinë, munden dhe dëshirojnë sinqerisht t’i kontribuojnë mirëqenies njerëzore. Në rastet e tilla, qytetari me kulturë politike, nuk vepron si ai pjesëtari i verbër i turmës, i cili i shkon prapa e i brohorit homopolitikusit, i cili, pa marrë parasysh se është vërtetuar se nuk e meriton fare, megjithatë, do të ulet në fronin e pushtetit.
Në rastin e zgjedhjes së individëve për udhëhqjen partiake, më parë, dhe veçmas për udhëheqjen e institucioneve shtetërore, ka nevojë për një vetëdije të zgjuar politike sidomos pjesëtari i partisë dhe aktivisti politik. Pjesëtari i partisë dhe aktivisti politik, që mendohet se kanë sadopak kulturë politike, kurrë nuk duhet të pajtohen që indivdë të pandërgjegjshëm e të paditur, të caktohen e të votohen për udhëheqës institucionesh, prej të cilëve, siç dihet, varet trajtimi njerëzor.
Edhe në rastin kur është bërë një gabim i paqëllimshëm dhe në vend udhëheqës ka zënë vend ai që bën të kundërtën e asaj që kërkohet, është pjesëtari i partisë, aktivisti politik dhe partia përkatëse që duhet ta mënjanojnë udhëheqësin e padenjë dhe ta ndëshkojnë atë. Pra, duhet të kërkohet ajo që duhet kërkuar për të përsosur shërbimin e institucioneve e krijimin e mirëqenies njerëzore (dhe jo veç njerëzore!), për çka shërbejnë institucionet dhe jo t’i mbrojnë të këqijtë, dëmsjellësit, të cilët të keqes i thonë e mirë.
Zgjedhjet e 3 nëntorit te ne janë një rast i përshtatshëm që të mos ecim syverbër pas homopolitikusit, i cili të keqes i thotë e mirë, padrejtësisë i thotë drejtësi, mossuksesit i thotë sukses, dështimit i thotë fitore, të pandershmes i thotë e ndershme, injorancës i thotë dituri, marrëzisë i thotë mençuri etj., etj.
Pra, zgjedhjet e 3 nëntorit (2013), edhe për komunën tonë (Gjilanin), janë rast të ndalemi dhe të shikojmë me sytë e mendjes se kë po e fushim në kuvendin komunal dhe kë po e bëjmë prijës të këtij qyteti, sepse është detyrë jona qytetare dhe në dobinë tonë t’i përsosim institucionet tona me individë të ditur e, mbi të gjitha, të njerëzishëm.
Pra, është një obligim njerëzor e qytetar dhe, më në fund, është edhe për të mirën tonë që, në kuvendin komunal, të mos ketë të tillë delegatë injorantë, që miratojnë p.sh. “rregullore” e vendime për arsimin që janë në kundërshtim të plotë me dijet dhe nevojat pedagogjike (dhe me ligjet ekzistuese të arsimit).
Është detyrë jona qytetare që me votën tonë të mos vijë në pozitë udhëheqëse individi injorant që nuk meriton fare dhe, për më tepër, është marrëzi e dëm i madh të jetë në pozitë udhëheqëse.
Është detyrë jona qytetare që me votën tonë të mos vijë në pozitën udhëheqëse individi i pandershëm dhe shembulli më i mirë për të keq, i cili keqpërdor deri edhe institucionin më të lartë të komunës për të shkelur të drejtat e njeriut, që shkakton dëme të lloj-llojshme shoqërore dhe që të keqen e quan të mirë e sukses!
Gjilani duhet t’ua kthejë dinjitetin institucioneve komunale, të degraduara skajshmërisht nga lloj-lloj individësh të vendosur në krye të tyre, institucione këto aspak të denja për gjilanasit.
Kthimi i dinjitetit dhe avancimi i tyre i nevojshëm nuk mund të bëhet me njerëz çfarëdo, me injorantë e të panjerëzishëm, me të tillët që institucionet i kanë shndërruar në një ahur të augjiasit!
Gjilani do të bëjë institucione të denja për gjilanasit, kur, për udhëheqjen e tyre, do të caktojë njerëz vërtet të ditur e, mbi të gjitha, njerëz të ndërgjegjshëm, që dinë të skuqen nga e keqja, që bëjnë atë që munden dhe vetëm atë që duhet bërë, po kurrë atë që nuk duhet bërë. /2lonline/