DYLON

Zgjedhja e presidentes është kushtetuese

Zgjedhja e presidentes është kushtetuese
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Flamur Hyseni

Zgjedhja e Presidentes duhet të vlerësohet duke u nisur nga epërsia normative e Kushtetutës dhe nga faktet kushtetuese të krijuara më 6 dhe 7 tetor 2026.

EkoHigjiena

Në hierarkinë e normave juridike, Kushtetuta qëndron në nivelin më të lartë. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm, por interpreton dhe zbaton Kushtetutën në një çështje konkrete; nuk e zëvendëson normën kushtetuese dhe nuk e shuan fuqinë normative të Kushtetutës.

Aktgjykimi KO256/26 dhe KO258/26 është nxjerrë mbi bazën e një gjendjeje të caktuar faktike dhe kushtetuese. Pas nxjerrjes së këtij aktgjykimi është krijuar një fakt i ri kushtetues: më 6 tetor ka filluar procedura për zgjedhjen e Presidentes dhe procedura ka përfunduar me zgjedhjen e Presidentes.

Pikërisht këtu duhet bërë dallimi ndërmjet normës juridike, interpretimit dhe faktit juridik. Interpretimi i dhënë në një aktgjykim nuk e ndalon normën kushtetuese që të vazhdojë të zbatohet ndaj fakteve të reja. Përderisa nenet 82 dhe 86 vazhdojnë të jenë në fuqi, këto norma vazhdojnë të prodhojnë pasoja juridike edhe për situatat që krijohen pas nxjerrjes së një aktgjykimi.

Neni 82.1.3 e lidh afatin prej 60 ditësh me fillimin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit, ndërsa neni 86 përcakton procedurën e zgjedhjes. Këto norma nuk janë ndryshuar dhe as nuk kanë pushuar së vlejturi. Prandaj, fakti i ri kushtetues duhet të vlerësohet para së gjithash sipas Kushtetutës.

Nëse procedura ka filluar më 6 tetor, atëherë, nga pikëpamja e teorisë të së drejtës, është krijuar një fakt juridik që duhet të vlerësohet sipas normës kushtetuese në fuqi. Ky fakt nuk mund të trajtohet sikur nuk ka ndodhur vetëm për shkak se një aktgjykim i mëparshëm është mbështetur në një gjendje tjetër faktike.

Edhe nëse Aktgjykimi KO256/26 dhe KO258/26 merret si pikë referimi, mbetet me rëndësi fakti se procedura ka filluar më 6 tetor, brenda datës së përcaktuar nga Gjykata.

Në aspektin e së drejtës, veçanërisht të së drejtës kushtetuese, duhet dalluar norma nga interpretimi dhe norma nga fakti. Aktgjykimi zgjidh një çështje konkrete dhe është i detyrueshëm; Kushtetuta, si normë supreme, vazhdon të jetë në fuqi dhe të rregullojë faktet kushtetuese të së tashmes dhe të së ardhmes. Një aktgjykim nuk e zëvendëson Kushtetutën.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.