Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovë, Petrit Selimi, ka pritur sot në një takim njoftues Selen Evcit, konsulle e përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren, e cila është shoqëruar nga ambasadorja turke në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç.
Me këtë rast, zonja Evcit ia ka dorëzuar zëvendësministrit Selimi kërkesën për ekzekuaturë, për të ushtruar detyrën e konsulles së Përgjithshme në Prizren.
Pasi i uroi mirëseardhje, zëvendësministri Selimi e njoftoi zonjën Evcit për situatën aktuale në Kosovë, si dhe e falënderoi atë për përkrahjen e Turqisë dhënë shtetit të Kosovës, sidomos në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, zonja Evcit konfirmoi përkrahjen e Turqisë për Kosovën. Hapja e Konsullatës së Përgjithshme Turke në Prizren dëshmon për marrëdhëniet e mira ndërmjet shteteve: të Kosovës dhe të Turqisë.