Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Belgjikë, ku zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve shtetërore të kulturës dhe shoqatave kulturore shqiptare në Belgjikë.
Zëvendësministri Hoti u takua me ministrin për Kulturë, Media dhe Rini në Qeverinë Regjionale të Flandër, z. Sven Gatz me të cilin biseduan për një varg çështjesh me rëndësi për kulturën, trashëgiminë kulturore, rininë dhe mediet.
Ministri Gatz shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Flandrës, në pikat të cilat mbulon dikasteri që ai drejton.
Në lidhje me bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë, ministri Gatz sugjeroi që një i tillë të konkretizohet me Kryeministrinë Flamane në një të ardhme të afërt.
Nga ana tjetër, zëvendësministri Hoti e falënderoi ministri Gatz për takimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës.
Hoti tha se është shumë e rëndësishme që të shkëmbehen përvoja sidomos në fushën e trashëgimisë kulturore por gjithashtu edhe në atë të diplomacisë dhe diversitetit kulturor.
Zëvendësministri gjithashtu e përgëzoi ministrin flaman për organizimin e festivalit ndërkombëtar kulturor “Ballkan Trafik” ku mori pjesë edhe Republika e Kosovës me një varg pikash, disa prej tyre të sponsorizuara nga MKRS.
Gjatë qëndrimit në Belgjikë, zëvendësministri Hoti mori pjesë edhe në edicionin e 10-të të Festivalit Ndërkombëtar Kulturor “ Ballkan Trafik” që u mbajt në Bruksel.
Hoti takoi përfaqësues të ndryshëm kulturor nga shtete të rajonit dhe më gjerë ku diskutuan rreth rëndësisë që vlera të ndryshme kulturore të bashkohen në një pikë të vetme siç është festivali “Ballkan Trafik”.
Tutje, zëvendësministri takoi edhe përfaqësues të shoqatave kulturore shqiptare në Belgjikë.
Ai çmoi lartë punën që këto shoqata po bëjnë në paraqitjen sa më të denjë të kulturës shqiptare dhe mundësinë që shqiptarët në Belgjikë po kanë në përfshirje në aktiviteteve të ndryshme kulturore.
Hoti tha se MKRS do të jetë gjithmonë mbështetëse e shoqatave të tilla dhe nismave që kanë për qëllim promovimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare edhe jashtë kufijve shqiptar.