Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me disa deputetë të parlamentit të Austrisë, pjesë e Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë. Zëvendëskryeministri Thaçi takoi deputetët e parlamentit austriak
Delegacioni i deputetëve austriakë përbëhej nga Hannes Weninger, deputet nga radhët e partisë SPÖ, Wolfgang Gerstl nga ÖVP, Christoph Vavrik dhe Roman Pable (bashkëpunëtor i Vavrik) nga NEOS, Christoph Hagen nga Stronach dhe Gerhard Dörfler nga FPÖ.
Në takim me deputetët austriakë, të cilët për herë të parë vizituan Kosovën, u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e integrimit të Kosovës në BE, për liberalizimin e vizave, për dialogun me Serbinë, por edhe për dialogun e brendshëm politik.
Zëvendëskryeministri Thaçi i njoftoi deputetët austriakë me të arriturat e Kosovës, veçanërisht për MSA-në dhe ndaljen e emigrantëve nga Kosova. Nga ana tjetër, deputetët austriakë i dhanë mbështetje të plotë aspiratës së Kosovës për anëtarësim në BE dhe për fuqizimin e institucioneve demokratike.