DYLON

Zëvendëskryeministri Thaçi niset për në Vjenë, në samitin për Ballkanin Perëndimor

Avatar photo Redaksia

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, ka udhëtuar sot për në Vjenë, ku, së bashku me kryeministrin Isa Mustafa dhe delegacionin e Kosovës, do të marrin pjesë në samitin treditor për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëskryeministri Thaçi do të marrë pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Pritet që zëvendëskryeministri Thaçi dhe kryeministri Mustafa të nënshkruajnë disa marrëveshje të bashkëpunimit ndërshtetëror.

EkoHigjiena

Në ditën e dytë të Samitit, zëvendëskryeministri Thaçi do të jetë pjesë e panelit të shefave të diplomacive të shteteve të rajonit mbi “Dialogun mes feve dhe luftën kundër ekstremizmit”, të drejtuar nga ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.

Në këtë samit do të marrin pjesë edhe krerët e vendeve organizatore të samiteve të vitit të shkuar dhe të sivjetmë, Gjermanisë dhe Austrisë, me në krye presidentin Heinz Fischer. Pastaj edhe krerët e vendeve që do t’i organizojnë samitet e radhës në vitet që vijnë, Francës dhe Italisë, por edhe ata të shteteve që e përkrahin “Procesin e Berlinit”, Sllovenisë e Kroacisë, bashkë edhe me shumë anëtarë të Komisionit Evropian dhe presidentë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Samiti i sivjetmë në Vjenë për shtetet e Ballkanit Perëndimor është i ndarë në tre nivele: për kryeministra, për ministra të jashtëm dhe për ministra të ekonomisë, kurse tema kryesore të tij do të jenë “infrastruktura dhe ndërlidhja”, “bashkëpunimi rajonal”, “rinia” dhe “sfida e refugjatëve”.

Zëvendëskryeministri Thaçi bashkë me kryeministrin Mustafa do të kenë edhe drekë pune me nikoqirët e samitit, presidentin Fischer dhe me ministrin Kurz.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.