Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” në 13-vjetorin e themelimit
(2LONLINE) – Informimi i shpejtë, objektiv, i paanshëm, i bazuar në burime të sakta, duke respektuar me përpikëri kodin etik, edhe në vitin 2013 dhe në fillimvitin 2014 mbeti dhe vazhdoi të jetë parim, normë dhe synim i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan.
Prandaj, sot, me 16 janar 2014, KG “Beqir Musliu” shënon 13-vjetorin e themelimit (16 janar 2001), duke përmbledhur një epokë të shkëlqyeshme informative, duke kryer misionin në mënyrën më të denjë, atë mision që ka dhe reflekton gazetaria e mirëfilltë, transparente, gazetari plotësisht e angazhuar.
Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ka bërë e vazhdon të bëjë gazetari pasqyruese, gazetari në interesin qytetar. Pasqyrues e ndërtues, reflektues e avancues, në mënyrë profesionale, pa deformuar asnjëherë të vërtetën. Ky ishte dhe mbeti përcaktimi i këtij institucuioni gazetaresk, që në epiqendër të informimit pati dhe do të ketë qytetarin, zërin e tij.
Kryetari i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”, Musa Sabedini, me profesionalizëm e përkushtim, vendosmëri e guxim, me frymën bashkëpunuese që kultivon, me elitën e gazetarisë gjilanase e rajonale e shndërroi këtë klub gazetarësh në shtëpi të fuqishme mediale, duke tejkaluar kufijtë rajonal. E kanë thënë të tjerërt se gazetaria e Gjilanit, me saktë KG “Beqir Musliu” bëri organizimin më të mirë në fushën e informimit në nivel vendi, duke qenë një shembull i informimit qytetar, që për 13 vite nuk arriti asnjë komumnë apo rajon tjetër.
Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” i Gjilanit arriti të ngritet në një formacion të shkelqyeshëm informativ, me gazetarë elitarë dhe të përgatitur në aspektin arsimor dhe intelektual, duke përçuar e transmetuar lajmin e parë, në mënyrë profesionale, pa prekur e cenuar privatësinë, integritetin as identitetin individual të askujt.
Zëri i qytetarit ka qenë pikënisje e secilit lajm. Motoja ishte dhe mbetet qytetari, hallet, telashet, problemet, jeta, lëvizjet sociale. KG “Beqir Musliu” ka trajtuar e pasqyruar të gjitha ecuritë zhvillimore e problemore të jetës shoqërore, politike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, të policisë, gjykatave, të krimit e trafikimit, të kulturës, sportit e të tjera tema që kanë prekur jetën qytetare.
Klubi për këto vite ka mbajtur mbi 160 debate me interes komunal, rajonal, vendor e ndërkombëtar. Klubi ka qenë strehë e gazetarëve, ku ata kanë pasur mundësitë dhe kushtet për të ushtruar me dinjitet zejën e gazetarisë.
Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ka ndërtuar institucionin e debatit, ka trajtuar tema e dilema ndër më të ndryshmet. Kështu do vazhdojë edhe në të ardhmen, duke pasur gjithnjë e në çdo kohë e rrethanë në epiqendër të lajmit, të informacionit qytetarin. Prandaj, KG “Beqir Musliu” bëri dhe do bëjë gazetari qytetare, duke pasqyruar, patjetër, edhe punën e institucioneve komunale, dhe të gjitha segmenteve të jetës publike që ndërlidhen me qytetarin dhe qytetarinë. Do vazhdojë rrugëtimin vertikal në informim, pa u hamendur të informojë dhe të bëjë publike secilën shkelje, devijim apo deformim të të drejtave dhe lirive qytetare.
Mirëpo, synim do mbetet informimi korrekt dhe pasqyrimi që përvijon konstruktivitet dhe jo destruktivitet, jo gazetari agresive denigruese, por, gjithsesi, gazetari agresive ndërtuese dhe pasqyruese.
Në këtë përvjetor, patjetër, duhet të spikaten ata që ishin dhe mbetën pjesë e formacionit informative, e elitës informative në rajon e përtej, për vite, duke përçuar lajmin e duke pasqyruar për jetën me të gjitha ngjyrat e saj: Musa Sabedini, Hasan Bunjaku, Ilmi Musliu, Nexhat Buzuku, Ganimet Klaiqi, Enver Sadiku, Sami Durmishi, Muhamet Halili, Xhevat Latifi, Ardiana Pajaziti, Heset Zymberi, Tefik Selimi.
Për fund, Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” do vazhdojë të pasqyrojë, reflektojë e informojë me kohë, me objektivitet, paanshmëri dhe profesionalizëm, gjithmonë duke respektuar kodin etik në lajmbërje dhe informim në përgjithësi.
/Nexhat Buzuku/