Zemaj: Nuk e votoj Haradinajn për kryeministër
Koalicioni pas zgjedhor LDK AAK dhe NISMA, do ta kenë një votë më pak nëse ata do të kenë mundësi që të votojnë për kryeministër, të nominuarin Ramush Haradinaj.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se ai nuk do ta votoj për kryeministër as kreun e PDK-së Hashim Thaçi dhe as atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Gjatë një interviste për Radio Dukagjinin, Zemaj tha se këtë qëndrim ka kohë që e ka marr dhe nuk zmbrapset nga vendimet e tij.
“Ne fillimisht do ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit me pas Qeverinë. Por e kam thënë edhe atëherë e them edhe tash nuk do ta votoi as Hashim Thaçin e as Ramush Haradinajn për kryeministër”, ka thënë Zemaj.
Ai ka folur edhe për lajmet e publikuar ditë më parë për shitjen e votave nga ana e deputeteve të LDK-së ku është lakuar edhe emri I tij.
“Unë personalisht si Armend Zemaj, ideal politik e kam krejt diçka tjetër nga ajo çka mendojnë PDK dhe grupet të cilat e kanë shkatërruar dhe i kanë bërë dëme Kosovës. Unë jam në një krah tjetër dhe përfaqësoi krejtësisht një trup tjetër elektorale karshi PDK-së dhe disa grupeve tjera. Nuk ka pozitë e as shumë të parave që mund të bindin Armend Zemajn që të votoi për Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë mes tjerash ai.
Deputeti i LDK-së po ashtu ka bërë të ditur se ka qenë disponim i gjithë anëtarësisë së partisë së tij që LDK të udhëheqë me Qeverinë dhe Isa Mustafa të jetë kryeministër, por ai tha se do të respektoj vendimin e partisë që subjekti i tyre të marr postin e kryeparlamentarit nga marrëveshje me AAK-në dhe NISMA-n.
Zemaj ka fajësuar PDK se po bllokon krijimin e institucioneve derisa ka ftuar këta të fundit që të lëshojnë pe në mënyrë që sipas tij shumica parlamentare të vazhdoi me funksionalizimin e institucioneve të shtetit. /dukagjini/
