Zekirija Ramadani kërkon maksimumin nga djelmoshat “bardh e kaltër”
Të dielën zhvillohet ndeshja e Javës së 12-të e Superligës së Kosovës në futboll, ku FC Drita e pret në shtëpi FC Llapin, e në konferencën e sotme me gazetarë u theksua për rëndësinë e ndeshjes dhe pritshmëritë nga kjo ndeshje.
Kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, duke iu referuar humbjes nga Drenica (java e 11-të), tha se futbollistët e Dritës kanë karakter dhe dijnë ta tejkalojnë dhe t’i kthehen rezultatit pozitiv, në takimin ndaj Llapit.
“Sot iu thash edhe futbollistëve se duhet të dalin nga vetja duke dhënë maksimumin për ndeshjen e nesërme me Llapin dhe ti kthehen rezultateve pozitive”, ka thënë Ramadani.
Ai tha se është këtu për t’i mbështetur djemtë për të dhënë maksimumin dhe përkundër gjendjes së tanishme në tabelë, ka edhe shumë lojë dhe është i bindur se do t’i arrijnë synimet dhe objektivin që e kanë.
Duke iu referuar edhe ndeshjeve në arenën ndërkombëtare, Zekirija Ramadani tha se janë të përqendruar dhe të fokusuar për të dhenë maksimumin, edhe aty edhe në Superligë, andaj nuk ka hapësirë fare, për askënd, për kohë të lirë, për relakse… por për angazhim dhe përqendrim maksimal.
Ndaj Llapit ai pret si përherë, të arrihet objektivi i vetëm që kanë në çdo lojë në kampionat, e që është fitorja dhe arkëtim i pikëve të plota.
Ndeshja FC Drita – FC Llapi zhvillohet nesër në ora 13:00, në Stadiumin Ndihmës, në Gjilan. /2LONLINE/
