/2L ONLINE/ – Dikur drejtonte Kuvendin Komunal, në cilësinë e kryesuesit, sa ishte partia e tij në pushtet. Më pas, kur subjekti i tij PDK-ja, i humbi zgjedhjet dhe mbeti opozitë, ai fitoi ulësen e anëtarit të Kuvendi, por të cilën pozitë e liroi tani së fundi për shkak të angazhimeve të tjera në qeveri. Izmi Zeka, aktualisht zëvendës ministër i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, megjithatë thotë se po e përcjellë me vëmendje të madhe çdo detaj të punës që bënë Kuvendit Komunal i Gjilanit, për të shtuar se ndihet i zhgënjyer me punën e këtij institucioni, pasi për faj të pozitës, Kuvendi nuk është ai që duhej të jetë, por është shndërruar në patericë të kreut të komunës, ndërkohë që kësaj qeverisje aktuale në Gjilan nuk po i zë besë më as LDK-ja.
“Kuvendi Komunal në Gjilan, edhe kur unë isha pjese e saj, e edhe tani kur jam tërhequr, për shkak të angazhimeve te tjera, ka ngulfatur përgjithësisht zhvillimet demokratike në Gjilan, ka ngulfatur atë traditë të mirë të këtij institucioni që ne e patëm krijuar, dhe tashme ai është shndërruar në patericë të kryetarit Haziri, duke shënuar ndarje nga interesat e qytetarëve të Gjilanit, madje duke shënuar ndarje edhe nga vete aktivistët e LDK-së, që hapur po e shprehin pakënaqësinë me këtë mënyrë qeverisjeje tërësisht autokrate”, ka thënë Zeka për Portalin 2L ONLINE,
Zeka kritikon edhe kryetarin e Gjilanit, që sipas tij, më shumë se sa në Gjilan, këto kohë ka qëndruar në vizita turistike gjithandej, apo duke u preokupuar për kryesinë qendrore të LDK-së, pra është marr me “politikë e diplomaci”, duke mos e pasur mendjen te qytetarët e Gjilanit, apo duke mos u brengosur fare për ta.
Ai tha se qeverisja komunale e Gjilanit nën drejtimin e Lutfi Haziri, edhe nga mbështetësi më fanatik të këtij kryetari a subjekti që përfaqëson ai, nuk mund të gjejë shembujt konkret me të cilat do të mund ta arsyetonte punën e tij, në kuptim të investimeve apo krijimit të kushteve më të mira për jetë, të qytetarëve të Gjilanit.
“Dështimi i kësaj qeverisjeje është vulosur në të gjitha drejtimet; në investime, në sektorë të arsimit, të shëndetësisë, të kulturës…. dhe pothuajse kudo, në të gjitha fushat, ku jo që nuk kanë ndodhur përparime, po kemi kthim mbrapa, degradim e përkeqësim të gjendjes. Kujtoni këtu vetëm lumin “Mirusha”, asnjë hap me shumë nuk është bërë që kur e kemi lënë ne. Kujtoni gjendjen e Teatrit të Qytetit dhe gjendjen e aktorëve, me të cilët ky pushtet bënë shaka, apo edhe segmente tjera”, ka thënë Zeka.
Përndryshe, Zeka kishte drejtuar edhe Degë ne PDK-së në Gjilan, ku sipas tij po vazhdon riorganizimi i saj.. Ai tha se tani më PDK-ja e Gjilanit, ka një kryetar të ri, i cili po përpiqet të riorganizojë Degën, në kuptim të ringjalljes së sektorëve që patën pushuar, pas humbjes së zgjedhjeve të fundit.
“Dhe, e tëra kjo po ndodh më lehtë se sa është pritur, si rezultat i qeverisjes së keqe aktuale me Gjilanin, për çka anëtarësia e gjerë e PDK-së, por jo vetëm ajo, po i kthehet PDK-së, duke e parë dhe krahasuar ish qeverisjen e PDK-së me Gjilanin dhe qeverisjen e tanishme të LDK-së, natyrisht duke vlerësuar lartë qeverisjen tonë krahasuar me këtë kaos të tanishëm që e ka shkaktuar kjo qeverisje e tanishme me Gjilanin”, ka thënë Izmi Zeka i PDK-së, aktualisht zëvendësministër në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete. /2L ONLINE/