/2L ONLINE/ – Izmi Zeka, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, ka akuzuar qeverisjen lokale në Gjilan që drejtohet nga Lutfi Haziri se po e rrënon demokracinë e ndërtuar me mund në këtë komunë. Zeka këtë e ndërlidhi me veprimet e fundit në sferën e shëndetësisë, ku sipas tij kemi spastrime politike.
“PDK-ja e Gjilanit vlerëson se spastrimet e fundit që po ndodhin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), flasin qartë se LDK-ja e Gjilanit ende nuk është liruar nga mentaliteti i një sistemi të kaluar. Ne, si PDK, sa kishim pushtetin në Gjilan, ngjyrimet politike në institucionet e Gjilanit i kemi parë si kolorite dhe pasuri e Kosovës. Prandaj vlerësojmë se në këtë rast po shkelen edhe ligjet ekzistuese dhe po rrënohet demokracia që e kemi vendosur për shtatë vite me radhë sa kemi qeverisur me Gjilanin”, ka thënë Zeka, për Portalin 2L ONLINE.
Ai ka thënë tutje se për PDK-në, profesionistët janë pasuri e përbashkët e Kosovës dhe se nuk duhet parë me ngjyra partiake. ‘Fatkeqësisht rasti i fundit në QKMF-në e Gjilanit tregon se ende nuk jemi liruar prej një gjendje e cila ka dëmtuar procesin në ecje të Kosovës”, ka thënë Zeka i PDK-së.
Përndryshe, sipas PDK-së, në Qendrën Mjekësore Kryesore Familjare në Gjilan, ka në ndodhur degradime të profesionistëve me motive politike. Mësohet se Dr. Mejreme Agaj, shefe e QMF “Arbëria”, Dr. Shejnaze Mushica, shefe në QMF “Dheu i Bardhë”, Dr. Teutra Morina, shefe e shërbimit të Stomatologjisë në QKMF, si dhe Dr. Drita Latifi, shefe e mjekësisë familjare në QKMF të Gjilanit, kanë marrë njoftimin për ulje në pozitë. /2L ONLINE/