DYLON

Zeka: Nga Gjilani i qëndresës, i dijes dhe i punës dërgojmë mesazhin se ka ardhur koha për ndryshim

Zeka: Nga Gjilani i qëndresës, i dijes dhe i punës dërgojmë mesazhin se ka ardhur koha për ndryshim
Avatar photo Redaksia

Shefi i Shtabit Zgjedhor të PDK-së në Gjilan, Izmi Zeka, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka nisur rrugëtimin drejt fitores në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke theksuar se nga Gjilani po dërgohet mesazhi për ndryshim, dinjitet dhe përgjegjësi në udhëheqjen e vendit.

Ai tha se hapja e fushatës zgjedhore po bëhet “me krenari dhe përgjegjësi”, ndërsa shprehu bindjen për fitore të PDK-së në nivel vendi.

“Sot, me krenari dhe përgjegjësi, po e hapim rrugëtimin tonë drejt fitores së madhe të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare”, ka deklaruar Zeka.

Ai tha se Gjilani mbetet simbol i qëndresës, dijes dhe punës, duke shtuar se qytetarët po kërkojnë një qasje të re në qeverisje.

“Nga Gjilani i qëndresës, i dijes dhe i punës, po dërgojmë mesazhin se ka ardhur koha për ndryshim, për dinjitet dhe për një Kosovë që udhëhiqet me përgjegjësi e vizion”, u shpreh Zeka.

Ai gjithashtu shprehu mbështetjen për kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, duke e quajtur atë pjesë të ekipit fitues që do ta rikthejë Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe stabilitetit.

Në fokus të deklaratës së tij ishin edhe kandidatët e PDK-së nga Gjilani, në garën për deputetë, Arben Mustafa dhe Nderim Mustafa, për të cilët tha se janë njerëz të dëshmuar.

“Në Gjilan, krenaria jonë janë kandidatët Arben Mustafa dhe Nderim Mustafa, dy njerëz të dëshmuar, me përkushtim, energji dhe vizion për qytetin dhe shtetin tonë”, tha ai.

Në fund, Zeka u bëri thirrje strukturave të partisë për mobilizim dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke theksuar se fitorja e PDK-së është fitore për Kosovën.

“Le ta bëjmë Gjilanin zërin më të fuqishëm të ndryshimit. Le të trokasim në çdo derë, të flasim me çdo qytetar dhe ta dëshmojmë se fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës është fitore për Kosovën”, tha Zeka. /2LONLINE/