Zeka: Kush me rrëzue qeverinë, LDK-ja?! – Mos bo hajgare!

Zeka: Kush me rrëzue qeverinë, LDK-ja?! – Mos bo hajgare!

Zërat në taborin opozitar për të gjetur rrugë e modalitet rreth mocionit për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj” janë shtuar kohëve të fundit dhe, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka shprehur interesimin, që të gjej rrugë dhe modalitet që qeveria e tanishme e drejtuar nga Ramush Haradinaj, kryeministër, të bie dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Por, Izmi Zeka, zëvendësministër në Qeverinë Haradinaj, njëherësh anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në një prononcim për Portalin 2LONLINE, ka thënë se qeveria ka punë më të mençur se sa me e dëgjua se me çfarë merret opozita, në veçanti LDK-ja.

“Kush me rrëzue qeverinë, LDK-ja?! – Mos bo hajgare!”, është përgjigja e Zekës, në lidhje me atë se a mund të iniciohet mocioni nga LDK dhe mbështetur nga Vetëvendosja, PSD, e nga ndonjë deputet tjetër të sigurohen votat, që të bie Qeveria “Haradinaj”.

“Kur ka rrëzue qeveri LDK-ja që me rrëzue tani”, ka thënë tutje Zeka, për të shtuar se, as LDK e as Vetëvendosje e PSD, nuk kanë kaçik për me rrëzue qeveri, por se nuk duhet humbur energji në këtë, sepse këto janë çështje minore me të cilat nuk ia vlen as një sekondë të humbet, pasi qeveria ka agjendë më të rëndësishme për vendin dhe qytetarin e saj.

Zeka i PDK-së ka thënë se kanë çështje tjera më të mençura me të cilat po merren dhe duhet të vazhdojnë të merren siç është finalizimi i procesit të liberalizimit të vizave, formimi i ushtrisë së Kosovës si dhe përmbyllja e dialogut dhe njohja reciproke me Serbinë.

KOMENTE