/2L ONLINE/ – Nënkryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Gjilan, Izmi Zeka ka premtuar se fundi i tetorit do ta gjejë PDK-në e Gjilanit plotësisht të organizuar dhe të konsoliduar dhe me kryetar dege.
Por, sipas Zekës, jo gjithkush mund të vije në krye të PDK-së. Pretenduesi i pozitës së kryetarit të Degës së PDK-së duhet t’i plotësojë disa kritere , ndër to, duhet të jetë i pranueshëm dhe të gëzojë besimin e shumicës së strukturave të partisë, të jetë i paprekshëm nga aferat e ndryshme si dhe të ketë sfond familjarë e të jetë një intelektual i përgatitur mirë.
“Jemi të interesuar që sa më shpejtë të zgjedhim kryetarin e Degës, besoj se fundi i tetorit do ta gjejë PDK-në të organizuar dhe me udhëheqës të saj . interesi im si nënkryetar i Degës është që në krye të vijë një personalitet që i plotëson së paku, tri kritere, elementare, të ketë simpatinë e strukturave partiake, të jetë një intelektual i dëshmuar dhe të ketë një “background” familjarë, si dhe të jetë i paprekshëm nga aferat e ndryshme”, ka thënë Zeka, për Portalin 2LONLINE.com, por pa precizuar se a do të kandidojë vet ai, për këtë pozitë.
Zeka, i cili pothuajse për dy mandate ka drejtuar degën, tha se do të vazhdojë t’i shërbejë PDK-së me tërë potencialin e tij intelektual dhe se pavarësisht kush do të zgjidhet kryetar, do të kërkojë të respektohen vendimet e kryesisë së degës.
“Gjithsesi unë do të jem pjesë e këtij procesi dhe deri në momentin e zgjidhjes së kryetarit të Degës dhe më pastaj mbi analizën dhe vullnetin e strukturave do të kemi edhe kryetarin.”, ka thënë Zeka.
Përndryshe, ai tha se PDK dhe strukturat e saja janë thellësisht të interesuara që sa më parë të organizohen maksimalisht dhe të bëhen gati për ta rikthyer Gjilanin, në zgjedhjet e radhës, pasi PDK, sa ishte në qeverisje ka qenë shembull i mirë se si mbrohet interesi i qytetarëve, për dallim prej këtij pushteti të tanishëm.
Duke bërë krahasime, nënkryetari i Degës së PDK-së izmi Zeka, tha se pushteti aktual nën drejtimin e Lutfi Hazirit, për këto dy vite sa po qeverisë me Komunën e Gjilanit nuk ka bërë asgjë për qytetarët e saj, përveç angazhimit të drejtuesve të qeverisjes komunale për t’i dhënë zor të dalin sa më shumë nëpër TV, portale e mediume tjera, për t’i thurur vetvetes lavde, ani pse të pa mbështetura në rezultate konkrete, por thjesht vetëm në retorikë.
“Besoj fuqishëm se PDK në Gjilan, në harmoni edhe me kreun e partisë, Hashim Thaçin, do të angazhohet që ta kthejmë Gjilanin në qendër të zhvillimit ekonomik të shpejtë. PDK nuk merret me kryeneçësinë e individëve të qeverisë komunale, sepse vizioni i saj është vizion i qytetarëve, vizion që shërben për gjenerata të reja”, ka thënë Zeka i PDK-së.
Ai tha se nuk ka dyshim se PDK do ta kthej Gjilanin dhe do të qeverisë prapë me të sepse me pushtetin e tanishëm jo vetëm qytetarët, shoqëria civile, opozita, por edhe vet strukturat partiake të partisë në pushtet, por edhe anëtarësia e saj dhe simpatizantët janë tmerrësisht të zhgënjyer dhe të pakënaqur se si është qeverisur për këto dy vite. /2L ONLINE/