/2L ONLINE/ – Izmi Zeka, kishte drejtuar degën e PDK-së së Gjilanit për disa vite me radhë, për të dhënë kontributin e tij pastaj edhe në pozicione tjera. Aktualisht është nënkryetar dege dhe anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, por se tani sërish e mendon rikthimin në krye të Degës, ngase, siç thotë ai, vlerësimet se si ai e ka drejtuar PDK-në në Gjilan janë të larta, andaj janë shtuar zërat që e kërkojnë që ai të marr prapë timonin e Degës.
“Natyrisht që kontributi im në PDK, dhe për PDK-në, e bashkë me këtë subjekt, edhe për Gjilani dhe qytetarët e saj, do të jetë maksimal pavarësisht postit të ushtruar. Por, realisht janë shtuar zërat në strukturat aktuale dhe në anëtarësi që duan , edhe atë sa më shpejtë., një PDK të strukturuar , të mobilizuar dhe aktive sepse për këtë ka nevojë Gjilani, veçmas kur kemi të bëjmë me një pushtet aktual që keqqeverisë, andaj edhe më është kërkuar të shqyrtojë mundësinë e rimarrjes së degës për ta udhëheqë sërish”, ka thënë Zeka.
Megjithatë ai tha se nuk ka vendosur akoma se çfarë do të bëjë, por se ka pranuar se tani ky interesim i anëtarësisë, e ka shtyrë të mendojë seriozisht për këtë gjë dhe se shumë shpejtë edhe do t’i bëjë të qarta hapat që do t’i ndërmerr në këtë drejtim.
Ai thotë se Gjilani ka nevojë për një PDK- të fortë, sepse përditë e më shumë po del në pah nevoja që me këtë komunë të udhëheqë prapë PDK, si alternativë më e mirë për një Gjilan me perspektivë të qartë dhe për një Gjilan të zhvilluar, sepse pushteti aktual i LDK-së dhe partnerëve të saj, e dëshmoi para qytetarëve, përgjatë këtyre dy viteve të qeverisjes, se ata nuk dinë dhe nuk munden ta qeverisin këtë komunë për interes të qytetarit, përkundrazi, ata po e fundosin këtë komunë dhe mirëqenien e qytetarë për çdo ditë e më shumë dhe kjo duhet të ndalet.
“Stopimin e një qeverisje të keqe nuk mund ta bëjë askush tjetër pos PDK-së dhe po ashtu askush pos PDK-së nuk mund të ofrojë një qeverisje për qytetarin”, ka thënë Zeka, i cili premtoi se së shpejti do të qartësojë veprimet konkrete të tij, në lidhje me çështjen e të parit të Degës. /2L ONLINE/