Zeka fton serbët e veriut të mos lejojnë më të manipulohen nga Serbia

Zeka fton serbët e veriut të mos lejojnë më të manipulohen nga Serbia

Zv/ministri Zeka ka ftuar serbët e veriut, por edhe të gjithë të tjerët, që të mos lejojnë më të manipulohen nga Serbia, por ta kuptojnë realitetin e ri dhe të jetojnë me të gjitha të drejtat që ua garanton Kushtetuta e vendit.

Izmi Zeka, zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në Qeverinë e Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të mos lejojnë më të manipulohen nga Serbia, por të jetojnë duke përqafuar realitetin e ri, duke i gëzuar të gjitha të drejtat që ua garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Zv/ministri Zeka ka thënë për Portalin 2LONLINE, se situata në veri është e qetë dhe normale me funksionim të institucioneve të Kosovës. Por, ai shtoi se janë koeshientë se ende në pjesën veriore të vendit, por jo vetëm në këtë pjesë, Serbia po krijon probleme dhe natyrisht, qytetarët serbë po i përdorë për interesa të saja, sesa që po i intereson realisht jeta e tyre.

Por, Zeka ka thënë se Ministria për Komunitete dhe Kthim, edhe viteve të kaluara dhe edhe tani, ka krijuar kushte të mira, në gjithë territorin e vendit, në këtë rast edhe në Mitrovicën e Veriut. “Kemi institucionet e Republikës së Kosovës të cilat funksionojnë. Natyrisht ekziston brishtësi, por, punohet me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zeka.

“Kërkojmë nga qytetarët e Republikës së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës që ta kuptojnë realitetin e ri dhe të jetojnë të qetë, ashtu siç ua garanton të drejtat Kushtetuta e vendit. Ne jemi duke investuar në pjesën veriore të Mitrovicës dhe ky investim është më i madh se në komunat tjera”, ka thënë Zeka, për të shtuar edhe se: “të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë, por edhe minoritetet tjera, pak kund, mund t’i gjesh edhe në Evropën e civilizuar”.

KOMENTE