Në Pikën e Kalimit Kufitar në Bërnjak, janë evidentuar dy raste të zbulimit të mjeteve të padeklaruara monetare, bëhet e ditur në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Rreth orës 14:20, në hyrje të PKK Bërnjak, ka arritur një automjet në të cilin gjendeshin dy persona: vozitësi dhe një pasagjer. Gjatë një kontrolli rutinor, për shkak të dyshimeve, automjeti u selektua për kontroll në vijën e dytë. Zyrtarët doganorë pyetën palët nëse kishin diçka për të deklaruar, ndonjë mall për doganë apo mjete monetare. Pasagjerët u deklaruan se nuk kishin asgjë për të deklaruar.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe pasagjerëve nga zyrtarët e doganës dhe policisë, u zbuluan dy raste me mjete monetare në shumën mbi 10,000.00 €:
Tek personi i pare u gjetën 10,220 €, derisa tek personi i dyte gjetën 10,100 €.
Pas zbulimit të rasteve, u njoftuan zyrtarët e hetuesisë, të cilët erdhën në vendin e ngjarjes dhe intervistuan palët. Për rastet në fjalë u njoftua prokurori i shtetit. Bazuar në Ligjin Nr. 05/L-096, palëve u konfiskua 25% e mjeteve monetare, ndërsa 75% e mjeteve monetare u ndaluan përkohësisht me urdhër të prokurorit.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme, duke garantuar sigurinë ekonomike dhe financiare të vendit tonë, thuhet në njoftimi ne Doganës së Kosovës. /2LONLINE/