Zbogar: Nuk ka nevojë për ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, tha se gjendja aktuale politike, në të cilën gjendet Kosova, nuk ka nevojë për ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar në Kosovë dhe se nuk ka krizë politike.
Sipas tij, krejt çka është duke ndodhur është një proces demokratik.
“Kemi një proces demokratik dhe nuk shoh ndonjë krizë. Gjithçka është një proces demokratik dhe keni pasur zgjedhje shumë të mira. Patëm disa pyetje në gjykatë, që është demokratike edhe për vendet e tjera. Le të shohim se çka do të ndodhë në javën e ardhshme. Ne nuk interferojmë, ata (politikanë) nuk kanë nevojë për ndërhyrjen tonë, ne nuk duam të interferojmë dhe nuk mendoj se Kosova ka nevojë për ndërhyrjen tonë”, ka thënë Zbogar.
Ai ka theksuar se për të ardhmen e Kosovës, nevojitet një zgjidhje e drejtë që të ketë një Qeveri dhe Parlament dhe të shkohet tutje.
“Ka shumë punë për t’u bërë dhe le të shkohet përpara”, ka shtuar Zbogar.
Zbogar i ka bërë këto komente derisa bashkë me presidenten Atifete Jahjaga dhe ambasadorin britanik Ian Cliff janë nisur me tren nga Prishtina në Pejë, në aktivitetet për shënimin e manifestimit “Ditët e Trashëgimisë Kulturore”.
