Zbatimi i projektit “Bashkësi e Sigurt pa Zjarre”
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes njësive të saj policore sektoriale, në bashkëpunim me Komitetet Lokale për Siguri Publike, njësitë komunale të zjarrfikësve dhe partnerët lokalë në zonën e përgjegjësisë së rajonit të Gjilanit, ka filluar zbatimin e fushatës sensibilizuese në kuadër të projektit “Bashkësi e Sigurt pa Zjarre”.
Aktivitetet janë zhvilluar kryesisht në zonat të ndryshme rurale, të cilat konsiderohen potencialisht më të rrezikuara nga zjarret gjatë sezonës verore.
Gjatë kësaj fushate, zyrtarët policorë njësitet sektoriale dhe zyrtar komunal kanë zhvilluar takime me qytetarë, fermerë dhe banorë të zonave të ekspozuara ndaj rrezikut, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për parandalimin e zjarreve.
Në kuadër të aktiviteteve janë shpërndarë postera vetëdijesues, të cilët përmbajnë thirrje për mbrojtjen e mjedisit nga zjarret, pasojat që shkaktojnë zjarret, si dhe sanksionet ligjore ndaj personave të papërgjegjshëm që shkaktojnë zjarre në ambiente të hapura në kundërshtim me ligjin.
Policia e Kosovës, së bashku me partnerët e saj institucionalë, do të vazhdojë aktivitetet parandaluese gjatë gjithë sezonës verore, me synim rritjen e sigurisë publike dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Projekti ka filluar të realizohet nga të gjitha Stacionet Policore vartëse të DRP Gjilan duke përfshirë e gjithë zonën e përgjegjësisë së rajonit të Gjilanit.
Policia e Kosovës paralajmron se nuk do të tolerojë asnjë veprim që bie ndesh me ligjin ndaj atyre që shkaktojn zjarre të hapura, të cilat rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale dhe cenojnë rëndë mjedisin. Ndaj çdo personi që shkakton zjarre në kundërshtim me dispozitat ligjore do të ndërmerren masat e parapara me legjislacionin në fuqi. /2LONLINE/
