Zbatimi i plotë i fiskalizimit ndihmon në luftimin e ekonomisë joformale

Zbatimi i plotë i fiskalizimit ndihmon në luftimin e ekonomisë joformale


Përmbyllja e procesit të fiskalizimit dhe monitorimi i zbatimit të tij është proces i rëndësishëm në luftimin ekonomisë joformale dhe krijimin e një mjedisi në të cilin të gjitha ndërmarrjet trajtohen në mënyrë të barabartë. Kjo u tha gjatë një forumi të organizuar bashkërisht nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës me drejtorin e përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se është shqetësuese që një numër i madh i bizneseve vazhdojnë të jenë të pafiskalizuara pavarësisht kohës së gjatë prej kur ka filluar ky proces. Ai po ashtu tha se ekonomia joformale ka shënuar rritje prej shpërthimit të pandemisë COVID19, ndërsa rritja e fiskalizimit dhe rrjedhimisht luftimi i ekonomisë joformale janë të rëndësishme për krijimin e kushteve për një mjedis të barabartë në treg.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi theksoi se anëtarët e organizatave të biznesit në mënyrë të vazhdueshme kërkojnë të trajtohet çështja e informalitetit. Ai gjithashtu ka shtuar se konomia joformale dëmton ekonominë e shëndoshë, prandaj duhet të ketë një bashkëpunim ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve për të luftuar ekonominë joformale.

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj tha se kjo është temë kritike për çdo shtet dhe jo vetëm për Kosovë. Ai shtoi se ekonomia joformale është një lloj kanceri për ekonominë e shëndoshë që është duke ndikuar negativisht shumë industri po ashtu edhe konkurrencën në vend. Gjatë tri viteve të fundit ATK ka pasur mbështetje nga organizatat ndërkombëtare për të ndihmuar me matje të ekonomisë të rregullt. ATK vazhdimisht kërkon nga bizneset që të përmbushin detyrimet tatimore dhe punon drejt ngritjes së vetëdijes për përbmushjen e këtyre detyrimeve nga ana e bizneseve. Gjatë pandemisë ATK ka parë ngritje të mëdha te gjobave dhe masave ndëshkuese për biznese, për shkak të kësaj ATK ka propozuar masa të reja për ngritjen e vetëdijesimit. ATK është duke kërkuar mënyrën më efikase për të vazhduar drejt fiskalizimit. Ilir Murtezaj theksoi se duhet të ketë një bashkëpunim mes ATK-së, bizneseve dhe qytetarëve, për të konsoliduar procesin e fiskalizimit. Ai ju bëri apel qytetarëve që të kërkojnë gjithmonë kuponin fiskal për të ndihmuar në këtë proces.

Ruzhdi Zenelaj nga ndërmarrja Deloitte tha se është me rëndësi të punohet në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të ATK-së për mbikëqyrjen e procesit të fiskalizimit dhe zbatimit të legjislacionit tatimor në përgjithësi.

Driton Krasniqi nga ndërmarrja Emona Group tha se informaliteti shkakton shumë dëme për biznese dhe se arsyeja e informalitetit mundet të gjendet në shumë sfera të ekonomisë. Ai shtoi se bizneset e vogla nuk deklarohen për shkak të një fitimi të vogël që në fakt shkakton shumë humbje për biznesin në afat gjatë po ashtu edhe humbje për ekonominë. Ai tha se informaliteti është bërë kulturë ku bizneset mundohen të shmangin detyrimet tatimore edhe pse ka më shumë përfitime nga deklarimi dhe largimi i informalitetit.

Valon Jahaj nga Shoqata e Operatorëve të Autorizuar për Pajisjet Fiskale tha se sipas të dhënave nga Ministria e Financave llogaritet se mbi 10,000 ndërmarrje janë të pafiskalizuara, ndërsa shtoi se kohëve të fundit ka pasur edhe rritje të numrit të ndërmarrjeve që ofrojnë pajisje fiskale, por edhe oferta atraktive për ndërmarrjet e pafiskalizuara për pajisje me arka fiskale.

Pjesëmarrësit e forumit ngritën shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e informacionit në lidhje me ekonominë joformale dhe përforcimin e fiskalizimit. /2LONLINE.com/

KOMENTE