Zbardhja e “Kosova Papers”, pastron skenën politike
Tashmë në Kosovë i ka humbur kuptimi çdo gjëje. Sa pohime e mohime njikohësisht, sa premtime të parealizuara, sa akuza e kundërakuza,…me mijëra lëndë për afera korruptive të nivelit më të lartë, me vite “flejnë” të qeta në sirtarët e drejtësisë kosovare, ngase nuk ka prokuror apo gjyqëtar vendor që merrë guximin t’ua fshijë pluhurin e “harresës”!
Për tetë vite rresht, qytetarët e Kosovës janë mësuar me të njëjtën retorikë të “luftimit” të korrupsionit të nivelit të lartë. Për çdo vjet “Agjensioni Antikorrupsion” paraqet shifrat e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë, e cila është në shpërputhje të plotë me pasuritë reale të tyre. Përderisa pasuria e padeklaruar dhe e kundërligjshme mbetët e pa “zbuluar”.
Zyrtarët e lartë shtetëror dhe partiak, për të fshehur pasuritë e tyre milionshe e multimilionshe, ato i kanë shpërndar tek familjarët e tyre, miqët dhe farefisi i gjerë.
Me një vullnet dhe guxim të prokurorisë vendore në bashkëpunim me prokuror dhe gjykata ndërkombëtare, mund të bëjnë hulumtimin e prejardhjes së pasurisë së miqëve dhe familjarëve të krerëve shtetëror dhe partiak, fare lehtë mund të identifikojnë pronarët e vërtetë dhe “donatorët” e gjithë asaj pasurie marramendëse.
Logjikshëm shtrohet pyetja, nga i krijuan gjithë ato pasuri ?!
Disa nga miqët dhe farefisi i gjerë i politikanëve, deri dje ishin në fshatrat e thella malore, të barabart me fqinjët e tyre ose më keq, me nga një “lopë për bishti” siq thotë populli,…pas 17 shkurtit 2008 e këndej, u zhvendosen nga zonat kodrinoro-malore në qendrat komunale, në vendet më të frekuentuara, duke blerë sipërfaqe disa hektarëshe të tokave më pjellore, duke ndërtuar mbi to pallate luksoze dhe ngritur biznese marramendëse brenda natës!
Politikanët kosovar kanë blerë prona gjithandej vendit dhe në shtetet fqinjë, përderisa paratë e paligjshme të vjedhura nga populli i Kosovës i kanë deportuar jasht vendit!
Deri më sot ka pasur vetëm retorikë dhe demagogji të llojllojshme politike për luftimin e korrupsionit nga agjencionet e ngritura nga ana e qeveritarëve dhe “Task Forca” si dhe “Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit” e ish presidentës nga zarfi, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, gjoja për hetimin e pasurisë së paligjshme,… e gjithë kjo, sa për t’i hedhë “hi syve” popullit, për të zhvatur më lehtë pasuritë shtetërore.
Puna e prokurorisë, për hetimin dhe zbardhjen e “pastrimit” të parave të pista të politikës dhe parapolitikës përmes një pjese të estradës kosovare, duhet të filloj nga periudha e pasluftës, e në veqanti pas 17 shkurtit 2008, ku numër i madh i zyrtarëve të lartë të shtetit dyshohet se kanë dërguar pasuri (para) të kundërligjshme jashtë vendit, në Zvicër, në Dubai, etj.
Opinioni kosovar, në kujtesën e vet mbanë mirë mend rastin e para disa viteve, të ndalimit të një ylli të estradës kosovare në Aeroportin e Prishtinës me shuma të mëdha parash,…mirëpo pas ndërhyrjes së politikës, të njëjtit i lejohet vazhdimi tutje drejt Zvicrës bashk me paratë pa mbulesë ligjore !
Mbase do të ishte e logjikshme, që ylli i muzikës të kishte me vete shuma të mëdha parash me rastin e kthimit nga Zvicëra, por jo edhe të shkuarjes andej.
Drejtësia me standarde të dyfishta
Gjithmonë drejtësia kosovare ka vepruar me standarde të dyfishta, për dikë është bërë nënë e për dikë tjetër njerkë, siq thotë populli.
Rasti i fundit i prokurorës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i zonjës Vahide Badivuku, e cila ditë më parë u dënua me 3 vjet burgim, vetëm pse në çantën e saj gjatë largimit nga vendi ju gjetën 5 mijë euro, nën dyshimet për abuzim të detyrës zyrtare,…ndërsa në anën tjetër dikujt tjetër i lejohet të bartë jasht vendit shuma shumfish më të mëdha parash, e gjëra me vlerë floriri (ari).
Duke u bazuar në raportimin e ditëve të fundit nga mediet ndërkombëtare, të cilat zbulojnë se politikanë nga e gjithë bota, përfshirë liderë të lartë botërorë, janë të përfshirë në skandalin e parajsës fiskale në Panama apo në ndonjë shtet tjetër,…edhe Prokuroria e shtetit tonë duhet të nisë hetimet e menjëhershme për të vërtetuar nëse ka zyrtar kosovar të përfshirë edhe në skandalin e “Parajsës Fiskale” në Panama!
Ngase logjika e thjesht e korrupsionit të lartë në vendin tonë, lenë për të dyshuar se, as Kosova nuk mund të jetë imune nga ky skandal, kur çdo orë e çdo ditë qarkullojnë para të shumta jasht shtetit, ku politikanët për t’i fshehur gjurmët e korrupsionit, hajnisë dhe zhvatjes së përditshme të pasurive shtetërore i strehojnë në “parajsa” të tilla fiskale.
Megjithatë, shumica e pasurive të liderëve të lartë shtetëror ndodhet brenda Kosovës, andaj hetimi i burimit të pasurive të paligjshme në Kosovë, edhe pse punë e vështirë për Prokurorinë e shtetit, do të ishte puna më me vlerë për të ardhmën e vendit. Denimi nga gjykatat dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme kudo dhe kahdo qofshin ato, të fshehura nga zyrtarët e lartë të “Kosova Papers”, do ta pasuronte aq shumë arkën e shtetit, sa që me një mirëmenaxhim të atyre pasurive, brenda një kohe të shkurtër do të zbutej varfëria, dhe ajo çka është më e rendësishme, do të kthehej besimi tek institucionet e vendit dhe shpresa për jetë në shtetin e Kosovës.
