Regjimi autoritar i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit tash e gjashtë muaj është angazhuar në një përpjekje të vazhdueshme që përmes përndjekjes ta heshtë dhe ta pamundësojë opozitën për ta krijuar kësisoj, një realitet politik sipas interesave dhe leverdisë së tij.Kështu tha Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një konferencë për media. Një realitet antidemokratik në të cilën pushteti e ka fjalën e parë dhe të fundit dhe në të cilën pushteti nuk vihet në pikëpyetje. Kjo tendencë e pushtetit vetëm sa po shkon duke u zgjeruar.
Ymeri përmendi 18 deputetë të opozitës që janë trajtuar deri tash nga policia, prej të cilëve në burg është duke u mbajtur Glauk Konjufca. Ndërkohë në arrest shtëpiak janë Ismajl Kurteshi, Albulena Haxhiu dhe Shqipe Pantina, Pal Lekaj, Donika Kadaj Bujupi, Fisnik Ismaili dhe Besa Baftiu.
Glauk Konjufca është arrestuar një natë para protestës së 17 shkurtit. Ky ka qenë arrestimi më arbitrar që është parë kohëve të fundit. Kjo ngase ai është arrestuar për një rast që ka ndodhur në vitin 2009 ku kanë qenë të përfshirë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ç’prej atëherë ky rast është zvarritur deri tash. Glauku është arrestuar dhe po vazhdon të mbahet në burg për ta pritur seancën gjyqësore kurdo që ajo të caktohet. Kur seanca gjyqësore u caktua për rastin, rreth 5 ditë pas arrestimit të Glaukut, ajo nuk u mbajt për shkak se dëshmitarët nuk kishin shkuar në seancë. Ndërkohë, të gjithë dëshmitarët e këtij rasti janë policë të Kosovës.
Ymeri ka folur edhe për ndërhyrjen e policisë në protestën me tenda. “Policia ka ndërhyrë në shesh dhe ka sekuestruar pa kurfarë baze tendat e vendosura aty nga protestuesit të cilët kanë pasur leje të rregullt të autoriteteve lokale në Prishtinë. Kjo nuk ka ndodhur askund në regjimet totalitare, ku kemi parë të jenë organizuar protesta të tilla paqësore. Por, ata kanë ndërhyrë duke i marrë tendat, batanijetet e gjësendet e tjera të qytetarëve të cilat janë pronë private e qytetarëve”, tha Ymeri.
Mllefi popullor është duke u rritur kuncër këtij regjimi dhe po shfaqet në shumë mënyra e jo vetëm në organizimet e Opozitës së bashkuar. Këto janë kambanat e fuqishme që e sinjalizojnë domosdoshmërinë e ndryshimit të pushtetit jo vetëm si fytyrë apo si forcë politike, por nevojën që pushteti të transformohet, të bëhet më i drejtë, më llogaridhënës dhe të jetë me qytetarin e jo kundër tij, siç po bën aktualisht.
Organizimet tona po vazhdojnë dhe jemi të vendosur që të mos e lejojmë të shuhet shpresa e qytetarëve siç po e dëshirojnë Mustafa e Thaçi që sundojnë përmes frikës. Vullneti dhe vendosmëria e qytetarëve do ta ngadhënjejnë kundër intimidimit dhe përndjekjes së këtij pushteti autoritar, ka thënë Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.