DYLON

Ymeri: Mustafa, po e pengon hetimin e SHIK-ut

Avatar photo Redaksia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, zëvendëskryeministrin dhe njëherit Ministrin e Punëve të Jashtme të vendit, Hashim Thaçi, e ka quajtur zaptues.

“Dje të dy kryeministrat kanë folur për protestën, dhe për këtë i falenderoj, është e rëndësishme të flitet për këtë sa më shumë. Thaçi foli për pushtetin, se si këto protesta po e synojnë pushtetin me dhunë. Thaçi është zaptues”, ka thënë Ymeri.

EkoHigjiena

Ai madje, ka pyetur kryeministrin Isa Mustafa, rreth 70 dosjeve në Prokurorinë e shtetit.

Ymeri, ka folur edhe për mos hetimin e SHIK-ut.

“Që prej vitit 2011, kërkohet të hetohet SHIK-u. Isa nuk lejoi që deputetët e LDK-së ta mbështesin këtë iniciativë”, ka thënë Ymeri.

Ja fjalimi i Visar Ymerit në seancën e sotme parlamentare

Dje të dy kryeministrat e shfrytëzuan mbledhjen e qeverisë për të folur për protestën e 18 prillit. Për këtë i falënderoj. Është e rëndësishme që të flitet sa më shumë në publik për protestën në mënyrë që sa më shumë qytetarë të dëgjojnë për të, ta mësojnë orën e datën, dhe të flasin për kërkesat e saj.

Pakçka që në fjalët e tyre më shumë e shpërfaqën frikën nga protesta se sa domosdoshmërinë për të reflektuar për shtetin e kapur, që po kërkon ta çlirojë protesta.

Thaçi foli për pushtetin, do të thoshit, si zakonisht. Se si këto protesta po mëtojkan ta marrin pushtetin me dhunë. Prapë do të thoshit frika e tij e zakonshme. Po ka diçka më të pazakontë në këtë shpërthim tijin. Shpërfaqja e realitetit. Realitet të cilin tash e kanë të qartë të gjithë. Realitetin e shtetit të kapur nga pushteti.

Natyrisht që Thaçi reagon kështu dhe pikërisht me këto fjalë. Çfarëdo kërkese për ta çliruar shtetin e zaptuar atij i tingëllon sikur synim për t’ia marrë pushtetin. Pushtetin që ushtrohet përmes zaptimit, ku ky është zaptuesi. Koka, pa mendje, e zaptimit. Bashkë me Veselin dhe ShIK-un. Ose në bashkëpunim me të, si të doni.

Kjo kapje, që këta e quajnë pushtet, apo e drejtë politike siç e tha dje Thaçi, që qytetarëve u faturohet si çmime super të shtrenjta të energjisë elektrike, si Zyre e Rregullatorit tërësisht në funksion të KEDS-it, si Gjykatë Kushtetuese e kryetar të saj që falsifikon vendime, si sistem drejtësie që e mbron krimin, si politikë haraçi që përgjakë afaristët nga deputetët e zaptuesve Lata e Remi, si Ministër drejtësie që ia ka nënvendos gjyqësorin tërësisht nevojave të Klanit pronto dhe bandave, si menaxhment i RTK-së që e shndërron atë në zëdhënës të pushtetit dhe si kundërshpërblim përvetëson jashtëligjshëm miliona euro të parasë publike. Politikë zaptuesish kjo që po e ndajnë Kosovën në dysh duke premtuar e punuar për të akomoduar kërkesat e Serbisë për kompetenca ekzekutive për Zajednicën.

Për çudinë e disave, jo të gjithëve, të njëjtat gjëra i tha edhe Mustafa, kryeministri tjetër. Po ky kur u kap, apo më mirë thënë kur e kapi shtetin? Prej se e mori postin e kryeministrit? Apo edhe më herët. Para apo pas 70 dosjeve të dërguara në prokurori? Apo gjatë refuzimit të vazhdueshëm të prokurorisë për t’i hetuar dhe trajtuar ato dosje?

Që prej vitit 2011 në Kuvendin e Republikës kërkohet vazhdimisht nga deputetët që të hetohet veprimtaria e ShIK-ut. Isa Mustafa asnjëherë nuk i lejoi deputetët e LDK-së që ta mbështesin këtë iniciativë. Madje në mbledhje të grupit, tash pasi u bë kryeministër, raportohet t’i ketë kërcënuar me përjashtim ata që e mbështetën iniciativën përkundër vullnetit të tij. Me uljen në karrigen e kryeministrit të paktën elektorati i LDK-së kanë pritur që Muastafa ta mbajë qëndrimin e njëjtë për ShIK-un dhe të angazhohet në çlirimin e shtetit nga zaptimi. Por ky u shndërrua në apologjetin kryesor të tyre. Nuk ka mundur asnjëherë Veseli të bëjë më shumë për shpërlarjen e ShIK-ut se sa që ka bërë dhe po bën Mustafa prej se u bë kryeministër.