DYLON

Ymeri: Kush po e mbështet krimin e organizuar në institucione dhe ndërmarrje publike?

Avatar photo Redaksia

Visar Ymeri, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se u bë një muaj që kur Bordi i Ndërmarrjes publike rajonale “Pastrimi” e ka shkarkuar Feim Salihun nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të saj dhe se ky vazhdon të qëndrojë dhunshëm në këtë post.
Sipas tij, që prej se është shkarkuar Feim Salihu e ka rritur numrin e punëtorëve të sigurimit nën drejtimit e djalit të tij të axhës Besnik Salihut, duke e krijuar kështu armatën e tij private për ta mbajtur me dhunë vendin e uzurpuar të punës. Ai i kërcënon punëtorët vazhdimisht që të mos e pranojnë vendimin e Bordit të zgjedhur në mënyrë legjitime. Ai vazhdon të nënshkruajë kontrata në emër të ndërmarrjes sikur të kishte qenë kjo pronë private e tij.

Ymeri ka thënë se qysh më 15 janar aksionarët nga Kuvendi komunal i Prishtinës kishin kërkuar nga policia ta largojnë uzurpatorin Salihu nga objektet e Pastrimit. Edhe sot e kësaj dite policia nuk ka vepruar. Përgjigja e tyre ishte e thjeshtë: na kanë thënë shefat që të mos e zbatojmë vendimin. E shefi i shefave të këtyre policëve është Skënder Hyseni. Më 16 janar gjykata themelore ka nxjerrë aktvendim me të cilin e vlerëson zgjedhjen e Feim Salihut si të paligjshme pas kallëzimit penal nga aksionarët. 5 ditë më vonë aksionarët ia kërkojnë edhe një herë policisë ndërhyrjen këtë herë duke e kërkuar të vetëkuptueshmen zbatimin e vendimit të gjykatës. Prapë policia nuk vepron. Deklarojnë se nuk e zbatojnë vendimin e gjykatës. Shef i shefave të tyre mbetet Skënder Hyseni.

EkoHigjiena

“Feim Salihu, të cilin tashmë besoj që po pajtoheni ta quajmë uzurpator, është tezaku i Sami Hamitit, ish kryesuesit të asamblesë komunale në Prishtinë. Ai njëkohësisht dyshohet edhe për një numër të konsiderueshëm të shkeljeve penale të keqpërdorimit të parasë publike dhe aseteve të ndërmarrjes. Ndërkohë që Hamiti më herët ishte arrestuar nën akuzën të ketë qenë udhëheqës i grupit të përfshirë në zhvatje dhe mito”, ka thënë Ymeri i Vetëvendosjes.

Sipas tij, në një dokument të brendshëm të EULEX-it, ku prokurori flet për rastin Hamiti, dëshmohet se si është ndërhyrë në dëshmi në mënyrë që Hamitit të mos mund t’i dëshmohet fajësia. Aty Hamiti kishte pranuar që ta ridestinonte tokën bujqësore, me vlerë të ulët, në shesh ndërtimi me vlerë të lartë. Për këtë ai kishte kërkuar, përmes dy ndërmjetësve, një makinë me vlerë 30 mijë euro.

“Kjo vepër penale në tentativë ishte lajmëruar dhe hetuesit kishin kërkuar përgjimin e bisedave të Hamitit dhe të dy ndërmjetësuesve. Dhjetë minuta pas deponimit të bisedës së parë të inçizuar Hamiti ishte lajmëruar se ishte duke u përgjuar. Dhe ishte tërhequr menjëherë përmes telefonit ku i kishte thënë ndërmjetësve se nuk e do makinën, në një bisedë po ashtu të inçizuar. Kur hetuesit e kishin kërkuar regjistrin e thirrjeve telefonike në Vala 900 kjo bisedë telefonike mungonte. Ishte ndërhyrë edhe këtu. Kjo e dëshmon që ky grup ka lidhje në EULEX dhe PTK mes tjerash”, thotë Ymeri.

Ai i ka pyetur deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës se a nuk është ky krim, dhe se a nuk është ky organizim. Krim i organizuar i futur thellë në institucione dhe ndërmarrje publike. Nën udhëheqjen e Sami Hamitit të LDK-së e i ndihmuar nga klani i PDK-së. E kjo nën përkujdesjen e veçantë të Kryeministrit Isa Mustafa.