Ymeri: Do të vazhdojmë me mënyrat e njëjta
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka deklaruar se Thaçi dhe Mustafa nuk mund të bëjnë pushtetin pa “Zajednicë”, ndërsa ka shtuar se do të vazhdojnë me mënyrat e njëjta të protestimit.
Ai në një konferencë për media të mbajtur sot, ka thënë se votimi i Thaçit për President nuk mund të bëhej pa bekimin e Vuçiqit. Sipas tij, ky votim do t’i kushtojë Kosovës me kosto marramendëse, e po ashtu rrezikon t’i kushtojë Kosovës me themelimin e “Zajednicës”.
I pyetur rreth seancës së ardhshme, ai tha se protestat nuk do të ndalen dhe se tani ka edhe më shume arsye që të protestohet dhe kundërshtohet, sidomos siç tha ai pas kontrabandimit të Thaçit për President dhe kapjes së shtetit.
“Ne do të vazhdojmë me mënyrat e njëjta”, tha Ymeri.
Ai ndër të tjera foli edhe sa i përket mundësisë së themelimit të komunës së Prelluzhës, duke thënë se me themelimin e saj, Serbia merr ingerenca vendimmarrëse në përdorimin e thëngjillit në Kosovë.
“Themelimi i komunës së Prelluzhës i jep të drejtë kësaj si komune që ta kontrollojë dhe kushtëzojë përdorimin e thëngjillit për prodhimtarinë e energjisë elektrike. Përmes themelimit të kësaj komune dhe integrimit të saj në Zajednicën që Thaçi dhe Mustafa po duan ta themelojnë e që do të jetë e kontrolluar nga Serbia atëherë në këtë mënyrë Serbia merr ingerenca vendimarrëse në përdorimin e thëngjillit në Kosovë”, tha Ymeri.
Ai shtoi se Serbia po i ofrohet sa më shumë bazenit të linjitit e që gjithmonë ka dashur ta ketë në kontroll.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=61806
