DYLON

Xhevat Latifi është fitues i çmimit “Ora e Astritit” me poezinë ‘Shkupi dhembja që s’po pranë’

Xhevat Latifi është fitues i çmimit “Ora e Astritit” me poezinë ‘Shkupi dhembja që s’po pranë’
Avatar photo Redaksia

Në orën e madhe letrare të konkursit letrar për poezi, të shpallur nga klubi letrar “De Rada”, në Ferizaj, juria profesionale e përbërë nga Zyrafete Shala, studiuese e letërsisë, Ramadan Musliu, poet dhe kritik letrar dhe Bardh Frangu, shkrimtar dhe publicist, kanë vlerësuar me çmimin e parë poezinë “Shkupi dhembja që s’po pranë”, të poetit Xhevat Latifi,  shkruan KultPlus.

Zyrafete Shala, kryetare e jurisë, dhe nënkryetare e klubit letrar “De Rada”, ka bërë të ditur se konkursi ka të bëjë edhe me 50 vjetorin e themelimit, Klubi letrar “De Rada”, në kuadër të aktiviteteve që shënojnë Ditët e Kulturës në komunën e Ferizajt, ndërsa “Ora e Astritit” do të jetë manifestim tradicional dhe një nga aktivitetet kryesore letrare të qytetit të Ferizajt.

Shala, tha se juria profesionale, nga 51 krijimet e autorëve konkurrues ka veçuar 26 poezi si më të mirat, të cilat janë botuar në një panoramë poetike, të shoqëruara me piktura nga anëtarët e shoqatës së piktorëve “Zef Kolombi” të Ferizajt.

EkoHigjiena

Juria çmimin e dytë i ka ndarë poezisë “Ende” të poetit Petrit Nika. Me çmimin e tretë poezinë “Mall” për baladën tonë të Zejnepe Rexhepit, ndërkaq çmimi ‘Pena e re’ për Doruntina Aliun me poezinë Hamletti i shekullit 21.

Në orën e letrare janë prezantuar këta autorë: Rrahman Hyseni – Dashuri nëpër kohë , Ariana Bytyçi – Fazliu – Si ta ndal lotin, Naxhije Kastrati – Gegnisht, Puntorie Ziba – Muça – Dert motrash, Farida Ramadani – Thyej ndjenjën, Mirlinda Koxha – Murosje shpirti, Imri Musliu – Pështyma, Kozeta Zavalani – Ti ëndrra e pavdekësisë, Dijana Toska – Dhembja e plakut, Xhevat Latifi – Shkupi, dhembja që s’po pran, Diella Çitaku – Gërvish qiellin, Petrit Nika – Ende (Sime bije),Lulzim Hajdari – Me mendje, Ardit Rushiti – Copëza parajse, Ragip Sylaj – Letër e padërguar, Rami Kamberi – Nuk ua jap poezinë, Zejnepe Rexhepi – Mall për baladën tonë,Doruntina Aliu – Hamleti i shekullit Drita Gera – Mediti, Mevlyde Saraçi – Syri yt, Alketë Spahiu – Kontuzioni i zemrës, Behare Shabani – Neziri – Pa dashje, Fahri Sejdiu – Nuk e pyetën, Anila Kruti – Të rrisim dashurinë, Ramadan Asllani – Vetëvarja e fjalës, Vita Gashi – Halili – Kotësi.

Ja poezia që fitoi çmimin e parë :

Shkupi dhembja që s’po pran!

Xhevat Latifi

Dridhet një shishe plastike shtrembër nëpër Vardar.
Ora e historisë merr dimensionin e një vrasjeje të pabesë!
Një letër basme e blerë në tregun grek
bëhet kostum për “Shkupin 2014”.
A është viti 518 kur barbarët u sulën mbi të.
a viti 1963 në 5;17 të mëngjesit?
Kasneci del nga ëndrra,
këmbëzbluar ecën, thërret për seks të lirë!
thotë:- Asgjë nuk përfundon këtu në dashuri
Mbamendja Ura e Gurit, krenat e prera rreth gurëve me myshk…
“Vec pak me ua gërrye myshkun,
gurët kanë t’ kuqen e gjakut t’harruar”.
Në verën e fillimshekullit të XX-të*
në një natë të vetme rrokulliset historia!
Shkup, shkup, shkup…
Shkup e Shkodër dhembja që s’po pran’!
Të hyn në mish sirena e ambulancës që vjen
si thirrje e re për luftë!
Nanëlokja harron dhembjet e shpindës
heq shaminë, nem e mallkon me shpirt
çdo politikan shqiptar njëqind vitet e fundit
S’pati një birë nane me m’thanë ku gabova
që dhembja s’mu ndal kurrë….

*Më 19 gusht 1912 “Times “, raporton kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin…

Kultplus.com

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.