Xhevat Demiri kërkon të nderohet figura e Ekrem GjinollitXhevat Demiri

Xhevat Demiri kërkon të nderohet figura e Ekrem Gjinollit

“Shpesh nga dinamika e jetës, nga angazhimet dhe sfidat që na dalin, sikur harrojmë për një moment të kujtojmë se në mes nesh nuk jetojnë më personalitete të rëndësishme, për disa prej të cilëve jemi vonuar që t’i nderojmë për punën e tyre. Një nga ta ishte edhe Ekrem Gjinolli”, ka thënë Xhevat Demiri, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e AAK-së, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Personaliteti dhe gjithë karriera e tij është e jashtëzakonshme, thotë ai. “E kush nuk fliste me shumë dashuri për të, në Gjilan dhe më gjerë. Kushdo që është pak i informuar, e sidomos studentët e tij dëshmojnë më së miri kulturën dhe traditën e familjes Gjinolli në Gjilan”, thotë tutje Demiri.

Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ai ka vlerësuar lartë themelimin e çmimeve në mënyrë institucionale, por duke shprehur besimin e tij se do të ishte hap meritor, po që se nderohet edhe figura e Ekrem Gjinollit. “Ne i kemi borxh atij dhe shoqëria, institucionet tona e qytetarët, duhet që emrin e tij ta nderojnë”, ka thënë Demiri.

Ai shtoi se respekton punën e çdo anëtari të Kuvendit Komunal dhe duke rikonfirmuar edhe përkushtimin e tij, si anëtar i po këtij Kuvendi kërkoi angazhim për ta dashur kulturën, traditën e zakonet tona qytetare, siç kishte bërë edhe Ekrem Gjinolli.

Në këtë vazhdë ai tha se është nder për të, për të propozuar që, kur të ndahen çmimet, që do të jepen për nderë të 28 Nëntorit, një çmim postmortum t’i ndahet edhe Ekrem Gjinollit, për kontributin e dhënë sistemit të edukimit në Gjilan dhe më gjerë, duke e respektuar kështu edhe kontributin e familjes së tij në përgjithësi.

“Një propozim si ky në një takim të tillë konsiderojë se është më se i merituar prandaj me përkrahjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal dhe të kryetarit të Komunës, Lutfi Hazirit, të bëhet ky propozim realitet për t’i shtuar edhe një vlerë Festës së 29 Nëntorit”, ka përfunduar Demiri, transmeton Portali 2LONLINE.com

KOMENTE