/2L ONLINE/ – Shefi i Grupit të Këshilltarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Selami Xhemajli, thotë se koalicioni qeverisës në Gjilan në mes të LDK-së dhe AAK-së është funksional dhe do të vazhdojë tutje, ndërsa për zërat e disave nga tabori i partnerit LDK-së, por edhe të ndonjërit në vet AAK-në, për prishje koalicioni, thotë të jenë zëra që dëshmojnë për liri të shprehurit, se ka demokraci në këtë ambient, por se kur është në pyetje prishja e koalicionit LDK-AAK, ata janë zëra të pafuqishëm sepse të tillët nuk janë faktorë vendimmarrës për këtë çështje.
“Unë edhe më herët kam deklaruar se vendimi për koalicionin aktual është marrë nga organet e partisë, besoj se e njëjta gjë është bërë edhe në subjektin e partnerit tonë. Sa i përket asaj që dikush edhe përmes deklaratave publike dëshiron prishje të këtij koalicioni, kjo është vetëm një dëshmi se jetojmë në botën demokratike ku secili shprehet lirshëm, përndryshe, zëra të tillë qoftë nga LDK, qoftë nga AAK, nuk janë faktorë vendimmarrës për një çështje të tillë dhe se aty ku meren vendimet ata nuk kanë folur”, thotë Xhemajli për Portalin 2LONLINE.
Përndryshe, sipas tij, nëse kërkesa të tilla shtrohen nëpër organe të partisë, ato sigurisht edhe do të shqyrtohen dhe se vendimet merren nga organet përkatëse. Tani për tani, koalicioni qeverisës, pjesë e të cilit është edhe AAK-ja, do të vazhdojë tutje me punë e angazhime për të cilat janë të thirrura, ka thënë ai. /2L ONLINE/