/2L ONLINE/ Puna e Kuvendit Komunal dhe Ekzekutivit, është vlerësuar pozitive edhe nga shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së, Selami Xhemajli. Të premtën, në një konferencë me gazetarë, të cilat po i organizon Zyra për Informim, për t`iu dhënë mundësi të gjitha grupimeve politike që t`i shprehin pikëpamjet e tyre, Xhemajli ka thënë se brenda kësaj periudhe janë mbajtur pesë senaca të rregullta, me çka Kuvendi Komunal ka përmbushur të gjitha obligimet e veta ligjore dhe statutare.
“Ne vlerësojmë se Kuvendi Komunal ka qenë funksional në këtë periudhë, me çka ka mundësuar që të trajtohen shumë çështje me interes publik, përmes miratimit të vendimeve dhe rregulloreve, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve”, ka thënë Xhemajli.
Grupi i këshilltarëve të këtij subjekti konsideron se shpeshherë është shpenzuar kohë për çështje që nuk kanë qenë në agjendën e punës.
“Është vlerësim yni se Kuvendi ka hargjuar shumë kohë dhe energji për tema të cilat nuk kanë qenë në rend dite të seancave dhe kjo ka ndikuar që të ketë shmangie nga rregullorja e punës, stërzgjatje të seancave, degradim të gjuhës e deri te akzuat personale mes këshilltarëve”, ka thënë Xhemajli.
Përndryshe, ky subjekt politik është treguar bashkëpunes në Kuvend dhe qeverisje.
Grupi i këshilltarëve të AAK-së ka pasur bashkëpunim të mirë me ekzekutivin, në përkrahje të projekteve që janë me interes për qytetarët dhe me veprimet tona kemi ndikuar që në Kuvend të diskutohen edhe temat e propozuara nga opozita, siç ka qenë rasti i Fabrikës së miellit në Gjilan, ka thënë Xhemajli.
Xhemajli tha se grupi i këshilltarëve të AAK-së, edhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë konstruktiv, me qëllim që Gjilani të ketë një Kuvend sa më funksional dhe që iu shërben interesave të të gjithë qytetarëve të tij.
Ai ka treguar mirëkuptim edhe për disa zëra kritik ndaj këtij koalicioni, duke thënë se në një ambient demokratik, secili ka të drejtë t`i shpreh mendimet e veta, por marrëveshjet i bëjnë strukturat e subjekteve përkatëse dhe jo individët.
Ndryshe ai ka vlerësuar se në Kuvendin Komunal të Gjilanit ka transparencë të mjaftueshme, duke nënvizuar faktin se seancat transmetohen drejtpërdrejt dhe secili qytetar ka mundësi t`i ndjek të zgjedhurit e vetë.
AAK përfaqësohet në Kuvend Komunal me katër anëtarë. Në qeverisje, si partner i koalicionit, udhëheq dy drejtori komunale dhe ka postin e nënkryetarit të Komunës. /2L ONLINE/