Xhemaili: Drejtoria e Shëndetësisë e përkushtuar për të qenë në shërbim të qytetarëve

Xhemaili: Drejtoria e Shëndetësisë e përkushtuar për të qenë në shërbim të qytetarëve

Selami Xhemaili, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka mbajtur sot konferencë për media, në të cilën ka prezantuar angazhimin që bëhet, sukseset që ka drejtoria por edhe sfidat, të cilat kërkojnë angazhim të gjerë për zgjidhje të qëndrueshme.

Xhemaili ka thënë se drejtoria është e kufizuar pa mbështetjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, që ne së bashku me stafin jemi të përkushtuar që kjo drejtori të jetë maksimalisht në shërbim të qytetarëve të Gjilanit në bazë të kompetencës që e ka, por edhe zbatimin e planit të punës të hartuar për vitin 2018.

Ai tha se janë ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm dhe tashmë është në pritje të procedurave ligjore për fillimin e implementimit të projektit të Dezinfektimit, Dezinsektimit dhe Deratizimit, që besohet se gjatë këtij muaji do të fillohet implementimi në gjithë hapësirën e Gjilanit.

“Dezinfektimi i hapësirave publike do të bëhet në tri faza që zgjasin gjatë tërë sezonit veror dhe qëllim primar ka parandalimin e përhapjes të sëmundjeve ngjitëse përmes eliminimit të mushkonjave dhe të insekteve tjera. Gjithashtu edhe me sektor të tjerë shkolla, objekte të veçanta, institucione do të bëhet Dezinfektimi dhe Deratizimi sipas kërkesës dhe nevojës”, ka thënë drejtori Xhemaili.

Ai ka konfirmuar se DKA ka kërkuar organizimin e kontrollave sistematike nëpër shkolla dhe brenda kësaj jave do të nisim me këtë aktivitet përmes shëndetësisë primare të Gjilanit.

“Këtë javë përmes stafit të Mjekësisë Familjare do të fillojnë kontrollat shëndetësore nëpër shkollat e Gjilanit, që është edhe kërkesë e DKA-së. Gjithashtu në baza ditore bëhet pranimi i kërkesave për subvencionim të barnave për pacientet që janë të diagnostifikuar me sëmundje të rënda e që fatkeqësisht kanë gjendje të rëndë ekonomike”, ka thënë Xhemaili.

Drejtori ka konfirmuar se si drejtori në përgjithësi, por edhe si sektorë të ndarë gjithçka është e koordinuar në mënyrën më të mirë të mundshme që gjithçka të jetë në shërbim të qytetarit, për mirëqenien e tij në aspektin social dhe për shëndet stabil e pa problem të mëdha.

Ai tha se në këtë fazë është duke vazhuar puna në ndërtimin e objektit të ri e modern të QKMF-së dhe jemi të bindur se kushtet pastaj në këtë objekt do të jenë krejtsisht ndryshe dhe më të mira e më të shpejta për pacientin.

Në sektorin e Mirëqenies Sociale, drejtori Xhemajli ka përmendur aktivitete të ndryshme dhe të përditshme si, pagesat e qirasë për çdo muaj për 50 familje në nevojë, aktivitet tjetër me rëndësi ka qenë edhe shpërndarja e pakove ushqimore për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, që fatmirësisht kishim edhe bashkëpunim me dy shoqata humanitare dhe janë shpërndarë 200 pako ushqimore në vlerë prej afro 8,000 Euro.

Subvencionimet që janë dhënë për OJQ gjatë vitit 2017, janë të mbyllura të gjitha dhe tani me rregulloren 04/2017 të ministrisë së financave, për herë të parë subvencionimi i OJQ-ve do të bëhet përmes thirrjes publike në bazë të kritereve të përcaktuara me këtë rregullore.

DHMS thirrjen publike e ka shpallur më 18 Maj 2018 dhe afati i fundit për aplikim është data 7 Qershor 2018 dhe mjetet të cilat janë të parapara për subvencionimin e aktiviteteve të OJQ-ve nga ana e drejtorisë arrijnë shumën prej 60.000 Euro që do të jepen me komisionin që do të formohet për këtë qëllim.

Gjithashtu, drejtori Xhemaili ka thënë se kjo drejtori është duke punuar edhe për aspekte të tjera, të asistencës, mbështetjes dhe zgjidhjen e problemit për një numër të konsiderueshëm të familjeve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

KOMENTE