/2L ONLINE/ – Ansamblet komunale, në Gjilan, ishin dikur simbol i traditës kulturore. Këto vlera të larta shpirtërore, përmes festivaleve të ndryshme në nivel republike dhe jashtë Kosovës me paraqitjen e tyre, ishin mburrja dhe krenaria jonë. Çdo eveniment kulturor i paraqitur me revistat kulturore dhe artistike, të cilat jo rrallë shpërbleheshin me çmime të larta, na mbushnin gëzim dhe krenari. Po, ku mbetën aktivitetet me nam të ansambleve kulturore? Pse ato nuk po lulëzojnë si dikur?
Këahtu shprehet Selver Xhelili, kryetar i Degës së Republikanëve të Kosovës, për Gjilan, për ët shtuar se në mungesë të fondeve komunale dhe republikane, ansamblet gjilanase, nuk po tregojnë aktivitete si dikur, ato, thjesht, po përballen me probleme financiare.
“Ansamblet, janë ambasadorë të komunës sonë, në përfaqësimin komunal në vendet si Kosovë si jashtë saj, por duhet të shohim se ku ka ngecur problemi i zërit të tyre. Ne konsiderojmë se problemi qëndron te financat. Për tejkalimin e kësaj situate ne duhet të mobilizohemi, për tejkalimin e kësaj dukurie”, thekson Xhelili.
Sipas tij, për tejkalimin e kësaj situate të rëndë, në të cilën kanë rënë ansamblet komunale, vazhdon z. Xhelili, nuk duhet kërkuar te bizneset komunale, por te fondet komunale dhe republikane. Ai thotë se politika duhet t’i heq duart nga ansamblet, ato duhet të jenë të zhveshura nga ndikimet partiake, të cilat përmes inateve dhe ngërçit politik, mundohen ta paralizojnë jetën kulturore të festivaleve tona, të cilat janë ardhmëria e Komunës së Gjilanit.
“Përgëzoj udhëheqësit e këtyre ansambleve për punën vullnetare të tyre, të cilët pavarësisht pengesave financiare, po mundohen ta mbajnë gjallë jetën kulturore. Kërkojmë, nga autoritetet komunale dhe republikane, të mbledhin forcë për t’i mbështetur financiarisht, ansamblet komunale. Kërkojmë reflektimin e pushtetit në këtë drejtim, ngase nuk thuhet kot në popull: “Sa para, aq muzikë”. Kur sigurohen fondet, nuk do të mungojnë edhe rezultatet pozitive të ansambleve tona gjilanase”, thuhet në apelin e Selver Xhelili, kryetar i Degës së Republikanëve të Kosovës, për Gjilan. /2L ONLINE/