Xhelili: Anamorava është lënë anash, projektet e saj janë zvarritur me vite, por nuk do të vazhdojë më ky anashkalim
Selver Xhelili, kandidat i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës
Anamorava, e veçmas Gjilani, ka nevojë për një përkushtim krejt të ri e intensiv nga Qeveria e re e Kosovës. Një rajon aq i madh, nuk është zhvilluar fare sa ka potencial dhe sa jep kontribut. Ka nevojë për investime kapitale. Ferizaji e Lipjani janë udhëhequr shumë mirë, krahasuar me Gjilanin.
Me votën për mua, do të jem zëri i përkrahjes për finalizimin sa më të shpejtë të autostradës deri në Bujanoc; për kryerjen e Stadiumit të qytetit, pa e fajësuar prokurimin, sepse në shpirt më dhemb kur e shoh një tifoz të Dritës e të Gjilanit, që nuk ka stadium modern dhe e kanë zhvarritur aq shumë vjet.
Do të jem zë për finalizimin e hyrje-daljes në Gjilan nga Prishtina, sepse janë dëmtuar shumë bizneset dhe punimet zvarriten pa hesap.
Do të adresoj shqetësimin për mungesë të një parkingu të madh që do ta lironte trafikun e qytetit, sepse trafiku nëntokësor i projektuar nga qeverisja lokale me bulevardin e ri, s’ka asnjë gjasë të mund të fillojë, e lëre më të kryhet.
Do të punoj me njerëzit e qytetit tim, Gjilanit, për të menduar për projekte të reja kapitale dhe t’i adresoj ato në Kuvendin e Qeverinë e Kosovës. Anamorava është lënë anash, projektet e saj janë zvarritur me vite dhe nuk do të vazhdojë më ky anashkalim. Besën po ua jap!