DYLON

“Xheladin Kurbaliu” e do një pikë ujë!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Ndonëse e kanë rrjetin e ujësjellësit pothuajse tani e 13-14 vite, ma shumë nuk kanë ujë se kanë. Edhe kur kanë, janë në orë të natës kur u duhet të rrinë zgjuar dhe të mbushin rezerva që ato pastaj t’i përdorin përgjatë ditës. Ky është halli që e kanë qytetarët gjilanas që jetojnë në Lagjen “Arbëria”, rruga “Xheladin Kurbaliu” – djathtas. por si ta, janë edhe disa rrugë përreth.

Shaban Rexhepi, banues në këtë lagje i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se ata janë në hallë nga ky problem i mungesës së ujit dhe se nuk po gjejnë dot një zgjidhje, përkundër premtimeve që po i marrin nga institucionet përkatëse, andaj edhe duket se durimi i tyre po humbet pasi paralajmërojnë shprehje të pakënaqësisë në forma të ndryshme.

EkoHigjiena

Rexhepi, në emër të qytetarëve të kësaj rruge, thotë se po që se nuk ndërmerret diçka konkrete dhe shumë shpejtë atëherë do të shpërthejë pakënaqësia e cila mund të manifestohet edhe me protesta në rrugë, apo forma tjera të reagimit demokratik.

Ai bënë të ditur se ndonëse ekziston sistemi i ujësjellësit, që është ndërtuar me mjete vetanake, qysh nga viti 2000/2001, asnjëherë problemi i furnizimit me ujë i shtëpive në këtë lagje nuk është zgjidhur, por përherë kanë pas probleme, pasi furnizimi ka qenë i dobët, kapacitete të ulëta të furnizimit edhe atë kryesisht natën.

Përndryshe, Rexhepi thotë se u ndodhë tërë ditën mos ta kenë as një pikë ujë, kështu që duhet pritur natën që të mbushin rezervë, por edhe të gjejnë alternativa në hapje të puseve apo mbushje nëpër kroje të fshatrave të ndryshe, kush qysh mund të gjendet.

Ai thotë se për këtë problematikë nuk kanë reshtur të kërkojnë ndihmë nëpër institucione të ndryshme, si nga Kompania Rajonale për Ujë “Hidromorava”, por edhe nga institucionet komunale, si Drejtoria e Shërbimeve Publike, por përveç që e kanë “shuar” etjen me premtime të marra, atë nuk po munden ta bëjnë dot me ujë, sepse nuk po ndërmerret asgjë që kjo çështje të gjejë zgjidhje.

“Në vazhdimësi po kërkojmë ndërhyrje nga institucionet përkatëse që të bëhet një zgjidhje në ngritjen e kapaciteteve në mënyrë që të kemi ujë, por nuk po shohim as lëvizje më të vogël se do të ndërmerret diçka. Pakënaqësia po shtohet dita ditës dhe ajo mund të shpërthej me reagime të ndryshme sepse është shumë keq të mos e kesh një pikë ujë përgjatë gjithë ditës . Rrezikohemi edhe nga ndonjë epidemi. Jemi lodh më”, ka thënë Shaban Rexhepi, njëri nga banuesit e rrugës “Xheladin Kurbaliu”, që gjendet në lagjen “Arbëria’, që ballafaqohet me mungesë uji, përkundër që kanë sistemin e ujësjellësit. /2L ONLINE/