DYLON

Xhavit Ahmeti, njeri i madh në shërbim të bërjes së Kosovës shtet të pavarur

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, ka organizuar, Akademi përkujtimore për prof. Dr. Xhavit Ahmeti, në 19 vjetorin e vdekjes së tij, i cili nga folësit është vlerësuar si një njeri me ndikim shumë të madh në angazhimet e tij për lirinë, pavarësinë dhe ngritjen e arsimit shqip në kohët kur në Kosovë mbizotëronte një kohë e një regjimi të egër serbo – sllav.

Me këtë rast, të pranishmëve u është drejtuar, Akademik Nexhat Daci, i cili ka elaboruar kujtime për kohën sa ishte i angazhuar në punë në Universitet të Prishtinës, por edhe në angazhime të shumëta në proceset shtet-formuese në politikë së bashku me dr.Xhavit Ahmetin.

EkoHigjiena

“Xhaviti, ishte një njeri i qetë, modest, profesionist i madh, politikan me vyrtyte të larta e çka jo tjetër. Kado që kamë shkuar, ishte njeriu për të cilin më thonin fjalët më të mira nivele të larta akademike qoftë nga Universiteti i Sarajevës, apo ai i Zagrepit. Për Gjilanin është një krenari që pikërisht këtu ai ka vendin e tij të lindjes. Angazhimi profesional dhe politik i Ahmetit janë shembull që duhet ndjekur edhe sot, nga ne të gjallët, për të mirën e vendit dhe të ndërtimit të shtetit”, ka thënë ndër të tjerash akademik, Nexhat Daci, duke shtuar se kujtimi për te është i freskët gjithnjë kur ai vjen në mendjet tona.

Ndërsa, në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, fjalë rasti ka mbajtur, ministry i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili në emër të kryeministrit e ka vlerësuar lartë këtë kolos të punës për bërjen e shtetit, pavarësinë dhe angazhimet për zhvillim.

“Jemi sot këtu që të kujtojmë një njeri intelektual, politikan i mirëfillt, profesionist i shquar dhe vizionar e largpamës. Nga ata që e kanë njohur, ne sot kemi vetëm kujtime të mira dhe pozitive për figurën e tij. Ai që nga studimet, e deri në vdekje dha kontribut të pashoq në ngritjen dhe zgjerimin e arsimit shqip, edhe pse në një kohë kur në Kosova ishte e okupuar nga regjimi serbo – sllav. Gjilani, Anamorava dhe Kosova sot nderojnë një personalitet të përmasave të mëdha dhe vizionar”, ka thënë, ndër të tjerash, në fjalën e tij ministri, Imet Rrahmani.

Kurse, në emër të Komunës së Gjilanit, nënkryetari, Rexhep Kadriu, njëherit edhe bashkëvendës i doktorit Xhavit Ahmeti, ka thënë se ai ka shkuar duke na lënë një rrugë të trasuar mjaftë mirë që sot të jetë më e lehtë çdo gjë në politikë dhe profesion.

“Doktor Xhavit Ahmeti, është një figurë e rëndësishme dhe zë një vend të veçantë në historinë kombëtare, e posaçërisht në atë të Kosovës dhe Gjilanit, përkrah Mulla Idrizit, Zija Shemsiut, Agim Ramadanit dhe shumë veprimtarëve e dëshmorëve nga Gjilani. Ai ka dhënë një kontribut shumë të madh në arsim, në shkencë, në politikë dhe gjithandej. Ishte deputet në legjislaturën e vitit ’96, ministër i Arsimit, detyrë që i është besuar nga presidenti historik, Ibrahim Rugova. Ishte njeri i përkushtuar për punë dhe personalitet që është krenari e Gjilanit dhe Kosovës. Sot përkujtojmë një personalitet, modest, i cili ka lënë zbrazëti të madhe në rrugëtimin e ndërtimit të vendit”, ka thënë nënkryetari Kadriu, i cili ka bërë të ditur se kryetari Haziri, i ka propozuar presidentes Atifete Jahjaga, që në kuadër të dekoratave që ndan presidenca, ta nderoj edhe këtë figurë me vlera të larta, politike, kulturore e shkencore në shërbim të vendit.

Krejt në fund të pranishmit i ka përshëndetur djali i tij, Bekim Ahmeti, i cili ka falënderuar të pranishmit për këtë organizim, që siç ka thënë ai, është një lehtësi e përmbajtjes nga një mungesë e madhe në familjen e Dr. Xhavit Ahmetit.

Profesor Doktor Xhavit Ahmeti, ka humbur jetën tragjikisht më 21 nëntor 1996, në Beograd, në një udhëtim zyrtarë për arsimin shqip dhe hapjen e shkollave shqipe./2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.