Lëvizja FOL në një ndejë të organizuar për fundvit, ndau për herë të pestë Çmimin për Guxim Qytetar. Këtë vit, ky çmim iu është ndarë Xhabir Hamitit dhe Visar Arifajt.
Petrit Zogaj, Drejtor Ekzekutiv në FOL tha se “Lëvizja FOL po mbyll këtë vit, sikur se edhe katër vitet e tjera, me një ngjarje, e cila po tenton të mbështes, të mbroj dhe të falënderoj individët, të cilët, edhe pse kanë hasur në vështirësi gjatë kryerjes së punës së tyre të përditshme, nuk janë ndalur në asnjë moment për të informuar publikun, për të hapur debat për çështje të caktuara dhe për t’i mbrojtur kauzat e tyre të drejta. z.Hamiti dhe z.Arifaj, janë shembull i qytetarëve të devotshëm, të cilët nuk bëjnë kompromise me parimet, duke qenë të gatshëm të pranojnë edhe rreziqet që mund t’ju vijnë”.
Ndërkaq, Halil Matoshi, anëtar i Bord-it të Lëvizjes FOL tha se në kontekstin e debatit të madh në shoqërinë kosovare dhe më gjerë, lidhur me sekularitetin e shtetit dhe të drejtën e besimit, Xhabir Hamiti duke qenë vet dijetar i fesë islame, me qasjen e tij kundërshtuese ndaj politizimit të saj, dhe kundër tendencave të hapura për përdorimin e fesë për mbifuqi politike dhe dominimin e shoqërisë, pra duke mbajtur një diskurs pajtuese mes këtyre dy të drejtave. “Ndonëse nën shtrëngesa e kërcënime të ndryshme edhe brenda vetë Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), z. Hamiti nuk ra në konformizëm për t’iu përshtatur tendencave të defigurimit kulturor e shpirtëror të kësaj shoqërie dhe këtij vendi, duke luftuar me fuqinë e fjalës për të drejtën e besimit fetar, përkatësisht për diversitetin fetar në njërën anë dhe për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit modern, të ndarë nga kleri. Kësisoj, z.Hamiti dëshmoi se besimi islam mund t’u përshtatet kushteve të një demokracie të re, si kjo kosovare, pa i përplasur këto dy të drejta, prandaj duhet të vlejë si një shembull klasik i mendimtarit të guximshëm i cili, me asnjë çmim nuk u pajtua me ndërrimin e karakterit multifetar të shoqërisë kosovare, duke e ruajtur të paprekur tolerancën dhe ekumenizimin ndërfetar, si një vlerë ndër më të spikaturat të shqiptarëve përgjatë rrjedhave të historisë”, deklaroi Matoshi.
Xhabir Hamiti, deklaroi se e ardhmja jonë, avancimi dhe përparimi ynë si shoqëri dhe si vend, do të varet edhe nga orientimi dhe qasja e jonë e shëndosh dhe e drejtë fetare. “Të gjithë, e në rend të parë prijësit fetar, duhet të punojnë me kokën tyre, në rrugën dhe qasjen autoktone të interpretimit të fesë, që nënkupton formën dhe qasjen e ofrimit besimtarëve mes vete dhe kurrsesi formën kërcënuese e lënduese në emër të saj”, tha ai. Sipas tij, ata të cilët marrin flamurin për t`i ndarë qytetarët tanë, duke përdorur ndjenjat e fesë, në emër të interesave personale, të huaja apo të ndonjë ideologjie, e cila shkakton dëmtim, përçarje dhe bren trungun tonë të përgjithshëm, ata nuk ja duan të mirën as fesë e as qytetarëve tanë e as të ardhmes tonë.
Ndërkohë që për Visar Arifajn, Matoshi tha se ishte fitues i bindshëm i këtij çmimi, për ndihmesën që e dha në demaskimin e politikës së korruptuar dhe në krijimin e një fryme krejt të freskët politike në Kosovë, që kulminoi me rezultatet e papritura të zgjedhjeve lokale në mbarë vendin. “Shembulli i tij sa është i veçantë, aq duhet të jetë dhe model i guximit dhe kreativitetit për të gjithë ata që aspirojnë ta ndikojnë diskursin publik në të mirën e vendit, i krijimit të qasjeve inventive tek publiku, që janë njëkohësisht popullore dhe progresive. Formula e Visarit dhe Partisë së Fortë e rrëzoi një mur për ne. Ky çmim ndahet për ta përshëndetur këtë”, tha Matoshi.
Ndërkaq, që Visar Arifaj, tha se “vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe pranimit të përgëzimeve nga ana e qytetarëve kemi filluar ta kuptojmë konceptin guxim. Andaj, edhe ky çmim do të thotë shumë”.
Fituesit e këtij Çmimi në katër vitet e fundit ishin: z. Rufki Suma, kandidat i pavarur që fitoi zgjedhjet për kryetar të Komunës së Hani të Elezit, znj. Ajnishahe Shala-Halimi, aktiviste për të drejta të njeriut, z.Ejup Bajrami, qytetarë i Prishtinës dhe mbrojtës i këtij qyteti, z.Adem Meta, gazetar nga Skenderaj.