Ministri Punës dhe Çështjeve Sociale, Aleksandar Vulin, nga Presheva ka akuzuar kryeministrinë e Shqipërisë Edi Rama se e ka keqpërdorur mikpritjen e tyre kur ka përmendur Kosovën.
Ai ka thënë se “siç jemi ne vendas të mirë, ashtu edhe Rama nuk është sjellë si mysafirë i mirë. Kjo ka qenë një keqpërdorim i mikpritjes sonë, me këtë është shkelur çdo protokoll shtetërorë”
“Serbia nuk e njeh Kosovën, për ne shtet me atë emër nuk ekziston. Mysafiri i mirë atë nuk e thotë. Ne e dimë cili është qëndrimi i Shqipërisë dhe kryeministrit Rama për Kosovën, por në Beograd, kur je mysafirë i yni, ajo nuk është dashur të thuhet, dhe Rama nuk është dashur të sillet dhe të flas ashtu. Ai e ka keqpërdorur këtë vizitë”, ka thënë Vulin gjatë qëndrimit të tij sot në Preshevë, raporton Titulli.com.
Ministri ka shtuar se deklarata e Ramës për Kosovën ndoshta ka qenë e mirë për çështjet e brendshme politike të Shqipërisë, për marrëdhëniet Serbi-Shqipëri sipas tij nuk është e mirë, duke shtuar se “këtë se kemi pritur dhe na ka keqpërdorur”.
“E kemi pritur me zemër të hapur, me nderime më të larta shtetërore, si i ka hije një shteti, por ai nuk u soll ashtu. Ne kemi punuar që kjo vizitë të kalojë e qetë dhe pa incidente, por, në Beograd, Rama të kërkojë njohjen e Kosovës, kjo është keqpërdorim dhe ka qenë e panevojshme të thuhet. Kjo edhe mund të ndikojë në marrëdhëniet tona shtetërore”, ka përfunduar Vulin.