Vuçiqi e dobësoi opozitën politike, por krijoi një popull opozitar!
Shkruan: Kushtrim KADRIU
Gjatë viteve në pushtet, Aleksandar Vuçiqi ndërtoi një mënyrë qeverisjeje që synonte dobësimin e kundërshtarëve dhe përqendrimin e pushtetit rreth vetes. Zgjedhjet e shpeshta, dominimi mediatik dhe shfrytëzimi i avantazheve të pushtetit e vështirësuan konkurrencën e barabartë politike. Këto probleme janë evidentuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve.
Në këtë peizazh politik u dobësuan edhe parti që dikur kishin peshë të rëndësishme në Serbi. Mes tyre ishte Partia Demokratike e Serbisë (DSS), e themeluar dhe e udhëhequr për shumë vite nga ish-presidenti Vojislav Koštunica, e cila më vonë mori emrin Partia e Re Demokratike e Serbisë (Novi DSS). Një tjetër shembull është Partia Socialdemokrate (SDS), e themeluar nga ish-presidenti Boris Tadić në vitin 2014. Këto ishin forca me histori dhe profile të ndryshme, por që nuk arritën të ndërtonin një alternativë të qëndrueshme ndaj pushtetit të Vuçiqit.
Natyrisht, dobësimi i opozitës nuk mund të shpjegohet vetëm me veprimet e pushtetit. Përçarjet, rivalitetet personale dhe gabimet e vetë partive opozitare patën përgjegjësinë e tyre. Por Vuçiqi përfitoi nga kjo gjendje dhe e shndërroi dobësinë e kundërshtarëve në burim sigurie për sundimin e vet.
Duke parë një opozitë të fragmentuar, ai krijoi bindjen se ishte i paprekshëm. Fitorja e radhës dukej e garantuar, ndërsa kufiri mes shtetit, partisë dhe vullnetit personal bëhej gjithnjë e më i paqartë. Në këtë mendësi, Serbia rrezikonte të trajtohej si pronë politike e një njeriu.
Por këtu qëndronte edhe gabimi i tij më i madh: dobësimin e partive opozitare e ngatërroi me shuarjen e pakënaqësisë qytetare.
Pakënaqësia që nuk gjen përfaqësim në parlament nuk zhduket. Ajo grumbullohet në universitete, në vendet e punës, në familje dhe në rrugë. Qytetarët mund të humbin besimin te partitë opozitare pa fituar besim te pushteti. Mund të heshtin për një kohë, por heshtja nuk është domosdoshmërisht pajtim.
Pikërisht kësaj pakënaqësie lëvizja studentore i dha një pikë bashkimi. Protestat kundër korrupsionit, të nxitura nga tragjedia e Novi Sadit, u shndërruan në një sfidë politike që përfundoi me fitoren e listës së mbështetur nga studentët dhe pranimin e humbjes nga Vuçiqi.
Paradoksi është i fortë: një pushtet me përvojë të gjatë, organizim të fuqishëm dhe mekanizma të shumtë ndikimi u mund nga një lëvizje që doli jashtë modelit tradicional të partive. Ende mbeten paqartësi për udhëheqjen e qeverisë së ardhshme, por lista ka kandidatë të njohur dhe synime të deklaruara kundër korrupsionit dhe për përmirësimin e arsimit.
Në leximin tim, vota për të shprehu diçka më të gjerë se mbështetja për një ekip të ri: nevojën për t’i vendosur kufi një pushteti që dukej se nuk njihte më kufij. Për shumë qytetarë, kërkesa për ndryshim ishte bërë më e fortë se pasiguria për atë që do të vinte më pas.
Kjo fitore nuk është çek i bardhë për fituesit. Mandati për ndryshim kërkon transparencë, institucione të pavarura, program dhe llogaridhënie. Ata që erdhën me premtimin për ta çliruar shtetin nga kapja politike duhet të pranojnë edhe kontrollin e vazhdueshëm qytetar mbi veten.
Megjithatë, zhvillimi në Serbi bart një mësim për udhëheqësit autokratë të rajonit dhe më gjerë: mund t’i dobësosh partitë kundërshtare, por nuk mund ta marrësh si të mirëqenë nënshtrimin e shoqërisë. Mund ta ngushtosh hapësirën e debatit, por pakënaqësia do të kërkojë një rrugë tjetër për t’u shprehur.
Vuçiqi mendoi se duke dobësuar opozitën po siguronte jetëgjatësinë e pushtetit të vet. Por kundërshtimi doli përtej selive partiake dhe u shndërrua në mobilizim qytetar.
E dobësoi opozitën politike, por krijoi një popull opozitar. /2LONLINE/
