Vuçiq: Nuk e kam pritur këtë provokim nga Edi Rama, Kosova është pjesë e Serbisë
“Nuk kam pritur provokim nga zoti Rama që e përmend Kosovën dhe nuk e di çfarë lidhjeje ka Kosova me zotin Rama, më vjen keq që e ka ngritur këtë çështje, për të cilën nuk jemi marrë vesh”, ka thënë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai foli gjatë një takimi të përbashkët me gazetarë të mbajtur në Beograd, pas takimit me homologun shqiptar, Edi Rama.
Zoti Rama përmendi në këtë takim dallimet që ekzistojnë midis dy shteteve për Kosovën, duke thënë se “pavarësia e Kosovës është realitet i pamohueshëm, i cili duhet respektuar si i tillë”.
“Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm”, ka thënë zoti Rama.
Zoti Vuçiq këtë përmendje e quajti disa herë “incident” dhe shprehu kënaqësinë “që mund ta thotë se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë”.
Në fillim të takimit, Vuçiq e ka cilësuar vizitën e shefit të qeverisë së Shqipërisë në Serbi të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë dhe për Serbinë, por edhe për gjithë rajonin.
“Si në Serbi, ashtu edhe në Shqipëri, sot është shumë e lehtë të nxiten tension shoveniste dhe të shqiptohen fjalë të rënda, të cilat mund të sjellin poenë politik, por nuk jam zgjedhur të marrë vendime të lehta”, ka thënë Vuçiq.
Vizita e sotme e zotit Rama në Beograd shënon të parën e një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej 68 vjetësh.
Nga ana e tij, zoti Rama, mes tjerash foli për rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë, “që fëmijët të mos vuajnë në të ardhmen, për shkak të së shkuarës së hidhur”, duke pasur si synim të përbashkët Evropën.
Të dy kryeministrat kanë paralajmëruar nënshkrimin e disa marrëveshjeve ndërshtetërore, përfshirë këtu edhe qarkullimin e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve dhe bashkëpunimin rinor.
Tirana zyrtare e konsideron këtë vizitë si mundësi për hapje të një kaptine të re në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Në mbrëmje Rama pritet të vizitojë Bashkinë e Beogradit, kurse të martën kryeministri shqiptar ka paralajmëruar edhe një vizitë në Preshevë, për të zhvilluar një takim me qytetarët në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti.
Vizita ishte përcaktuar që më parë për në datën 22 tetor, por dhuna e ushtruar në ndeshjen Serbi – Shqipëri, bëri që vizita të shtyhej për ditën e sotme.
Ndeshja Shqipëri-Serbi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit më 2016, e cila u mbajt në Beograd është pezulluar dhe ndërprerë në minutat e fundit të pjesës së parë të lojës, për shkak të tensioneve në stadium./rel/
