Vokshi: Lajm shumë i mirë për shkollën tonë!
Drejtues të Gjimnazit “Zenel Hajdini”, në Gjilan, kanë bërë me dije se kjo shkollë u pajis me 10 klima të reja, donacion nga GNTC GROUP – Gorenje.
Sipas drejtorit të këtij Gjimnazi Shoqëror, Ilir Vokshi, ky donacion është një mbështetje shumë e rëndësishme në përpjekjet tona të vazhdueshme për krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e procesit mësimor dhe për një ambient më të përshtatshëm për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Si shkollë, jemi të përkushtuar të bëjmë maksimumin që çdo klasë dhe kabinet të ketë kushtet sa më të mira për mësim dhe punë cilësore. Në këtë drejtim, ftojmë edhe donatorë të tjerë t’i bashkohen përpjekjeve tona për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve në shkollë”, ka thënë drejtori Vokshi.
Sipas tij qëllimi është i qartë, të krijojnë kushtet sa më të mira të mundshme për nxënësit dhe të mundësojnë që secili prej tyre të zhvillojë dhe të shfrytëzojë sa më mirë potencialin e tij.
“Një falënderim i veçantë për GNTC GROUP – Gorenje për këtë donacion dhe për kontributin në përmirësimin e kushteve në shkollën tonë, si dhe për Drejtorinë Komunale të Arsimit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme”, ka thënë Ilir Vokshi, drejtor i Gjimnazit “Zenel Hajdini”. /2LONLINE/
