Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka takuar presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, në Tiranë, raportojnë mediat shqiptare. Ky takim është mbajtur në selinë e FSHF-së, ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka.
Ky takim ka qenë privat dhe pa praninë e mediave, por natyrisht është e kuptueshme se temë e bisedës ka qenë çështja e njohjes ndërkombëtare të futbollit kosovar. Gjithsesi, pas përfundimit të takimit, të tria palët preferuan të mos komentojnë diskutimin, duke ruajtur konfidencialitetin e bisedës. Ndërkohë, para këtij takimi Platini, i cili po qëndron për vizitë në Tiranë, ka pasur një takim me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
“Jam i kënaqur që jam këtu me gjithë delegacionin e UEFA-s. Kuptojmë se futbolli është në duar të mira mes kryeministrit dhe presidentit Duka. Them që futbolli është në duar të mira pasi janë persona që e duan futbollin, njihemi prej shumë vitesh”, ka thënë Platini. Pavarësisht vlerësimeve pozitive, duke prekur një ndër çështjet kryesore të vizitës së tij në Tiranë, atë të ndërtimit të impiantit të ri kombëtar të futbollit Platini duke ju drejtuar me mimikë kryeministrit mes rreshtave la të kuptohet se nuk ka marrë garanci për një mbështetje të madhe financiare nga ana e qeverisë për ndërtimin stadiumit të ri që do të zëvendësojë ‘Qemal Stafën’.
“E di atë që do të bëjë, e di edhe atë që mund të bëjë dhe di edhe atë që nuk mund të bëjë, pasi nuk është e lehtë të bësh gjëra të bukura. Folëm për stadiumin e ri sigurisht, pasi stadiumi i ri është diçka për të cilën kryeministri po mendon bashkë me presidentin e federatës dhe do të shohin se çfarë do të jetë më e lehtë për paratë. Po bëjnë stadiumin e ri të Elbasanit 40 km nga këtu, që është i rëndësishëm për ndeshjet e kombëtares por dhe imazhin e futbollit në Shqipëri, pasi që nga shtatori të gjitha ndeshjet e Shqipërisë do të shihen në gjithë botën në fushatën e re të eliminatoreve”, ka shtuar Platini, derisa vlerësoi ndihmën e bashkëpunimin e kryeministrit Rama dhe presidentit të federatës Duka për zbatimin e futbollit nëpër shkolla si një çështje të rëndësisë maksimale për të ardhmen e futbollit shqiptar.(RTK)