Nuk do të ketë takim në shtator ndërmjet kreut të FIFA-s, Sepp Blatter dhe kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, ashtu siç ishte paralajmëruar muaj më parë. Në fakt, një takim i tillë pritet të ndodhë në pjesën e dytë të muajit tetor. Kështu të paktën bënë me dije Vokrri.
“Jo njëherë nuk do të ketë takim. Kam biseduar me shefin e kabinetit të Blatterit, dhe takim mund të ketë pas 15 tetorit, pasi janë në pritje të përfundimit të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror”, tha ai për Arenën.
Vetë Blatter gjatë një vizite në muajin mars bërë Beogradit, kishte deklaruar se deri në fund të muajit tetor do të gjendet një zgjidhje për futbollin e Kosovës. Ai njëherësh është caktuar nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s si ndërmjetës i zgjidhjes së futbollit kosovar. Gjasat janë që në fund të tetorit, Blatter të ulë në një tavolinë palën serbe dhe atë kosovare.