/2L ONLINE/ – Shumëkush nuk do të kishte guximin që t’i hynte aventurës për t’a shpëtuar Vllazninë e Pozharanit, e cila nuk i kishte punët mirë në stinorin vjeshtor të Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Me vetëm 15 pikë e pozicionuar në pozitën 14, Vllaznia rrezikonte të humb statusin, por kur po niste pranvera Sallah Sherifi, mori guximin që të vihet në krye të ekipit pozharanas dhe në 15 pikëve të vjeshtës ia shtoi edhe 25 të tjera në pranverë dhe tashmë Vllaznia dy xhiro para fundit të kampionatit e kishte siguruar mbetjen në elitë, bile ishte radhitur në mes të tabelës në pozitën e shtatë, duke tubuar 40 pikë.
Tashti, kur edhe Vitia është barë anëtare e Ligës së Parë të Kosovës në futboll, komuna e Vitisë ka dy ekipe në këtë rang garash dhe mëton që të luaj rol me rëndësi. Duke parë punën e tij, Vllaznia e Pozharanit dhe Sallah Sherifi ranë në ujdi që marrë veshja e tyre të vazhdojë dhe tashti ekipi ka aspirata të tjera dhe për këtë qëllim ka angazhuar lojtarë të rinj si Mensur Livoreka, Albion Piram Liridon Hasani, Kushtrim Nexhipi e Ejup Brruti. Sherifi, bashkë me ndihmëstrajnerin Elmaz Halimi kanë paraparë që sivjet të përgatiten edhe më tepër dhe për këtë e kanë përkrahjen e kryesisëme në krye kryetarin Besim Halimi, drejtorin Ilir Zuka, por edhe me drejtuesit tjerë si Arsim Ostrogllava, Muhamet Alidema dhe të tjerët dhe pa harruar këtu edhe kontributin e çmueshëm të kryetarit të komunës, Sokol Haliti dhe angazhimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte në Viti.
Siç thekson kryetrajneri Sallah Sherifi, fazën e parë të përgatitjeve do ta nisin më 19 korrik dhe synimet e sivjetme janë krijimi i një skuadre stabile dhe të fortë në Ligën e Parë të Kosovës në Futboll. “Tashti kem fond të mjaftueshëm të lojtarëve, andaj besojmë se do të jemi skuadër konkurruese. Ku kësaj i shtojmë edhe përvojën e mjaftueshme, pastaj interesimin e madh të qytetareve të Pozharanit dhe përkrahjen e parezervë të tifozëve tanë të flaktë “Tigrat” me në krye Burim Miftarin, atëherë besojmë se Vllaznia ka çka të tregoj në futbollin kosovar”, thotë Sallah Sherifi, kryetrjneri i këtij ekipi.
Sipas Sherfit, atmosfera në ekip është e shkëlqyeshme, tashti me padurim po pritet fillimi i përgatitjeve dhe i kampionatit, kurse ky ekip do t’u sjell kënaqësi tifozëve pozharanas./2L ONLINE/