Ndonëse vlerësohet të jetë akt i dhimbshëm, themelimi i Tribunalit për krimet e supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës do ta ketë edhe anën pozitive, sepse zbardhja e vrasjeve të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, do të jetë mjet i fuqishëm për zbehjen e propagandës së Serbisë kundruall Kosovës. Kështu ka thënë për Telegrafin analisti dhe avokati i njohur, Azem Vllasi.
Mirëpo, sipas Vllasit, formimi Gjykatës Speciale nuk do të thotë që Bashkimi Evropian do ta detyrojë Beogradin t’i zbatojë marrëveshjet e arritura me Prishtinën.
Vllasi tha për Telegrafin se sqarimi i vrasjeve të disa serbëve, të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovës, nga individë të caktuar, është një mjet i fuqishëm në zbehjen e propagandës se egër të Serbisë kundrejt Kosovës.
“Formimi i Tribunalit, pavarësisht nëse na pëlqen ose jo, do ta ketë efektin e tij edhe në Republikën e Serbisë. Sepse, kështu do të neutralizohet propaganda dhe do të dobësohen argumentet e propagandës Serbe”, i ka thënë Vllasi Telegrafit.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi deklaroi të enjten se edhe pse është çështje plotësisht e padrejtë dhe fyerje për shtetin e Kosovës, Kuvendi i Kosovës duhet ta marr vendimin lidhur me themelimin e Tribunalit për krimet e supozuara të luftës së fundit në Kosovë.
Thaçi tha se kurdo që e procedon Kryesia e Kuvendit, partitë politike do të jenë prezentë në Kuvend dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që t’i jepet një përgjigje adekuate dhe meritore